Banner

Biografia e Muhamedit (alejhi selam) në dritën e doktrinave bashkëkohore të shkrimit të historisë 3



Libri "Jeta e Muhamedit" i autorit Husejn Hejkel konsiderohet si model më i qartë i këtij drejtimi në shënimin e biografisë profetike. Autori rreth orientimit të tij shprehet qartazi dhe me krenari duke thënë: "Unë nuk e kam marrë atë që e kanë shënuar librat e sires (biografisë) dhe hadithit, sepse unë kam preferuar që ta përdor metodën shkencore në këtë hulumtim".

Prej modeleve të kësaj mënyre të re në shënimin e biografisë dhe kuptimit të saj janë edhe artikujt e njëpasnjëshëm të cilët i botoi i ndjeri Muhamed Ferid Vexhdi në revistën "Nurul-Islam", nën titullin: "Biografia e Muhamedit nën dritën e shkencës dhe filozofisë", me ç'rast në disa pjesë të saj thotë: "Me siguri lexuesit tanë e kanë vërejtur se ne kujdesemi plotësisht që gjatë shënimit të sires mos të anojmë gjithnjë kah mrekullitë, pasi kjo trajtë gjeneron mundësinë e shpjegimit me shkaqe të rëndomta, edhe pse me pak vështirësi më të mëdha".

Prej modeleve të këtij drejtimi janë edhe shkrimet e shumta të një grupi orientalist që dolën rreth jetës së Muhamed (alejhi selam) në kuadër të shkrimeve të tyre historike, të cilat u ngritën mbi doktrinën subjektive, për të cilën sinjalizuam më parë.

Ti do të vëresh se ata e madhërojnë personalitetin e Muhamedit (alejhi selam), e lavdërojnë madhërinë e tij dhe cilësitë e tij të ndershme, por larg gjithë asaj që mund të tërheq vëmendjen e lexuesit rreth pejgamberisë apo vahjit në jetën e tij si dhe larg përkujdesjes së senedeve (zinxhirëve) dhe transmetimeve, të cilat në rast se i marrin, do të detyroheshin të binden në ndodhitë dhe ngjarjet që nuk janë në interes të tyre që të mbështeten në ta ose të kujdesen për ta.

Kështu, heronjtë e kësaj shkolle të re, në ndjekjen e doktrinës subjektive në shënimin e historisë, gjetën një fushë të gjerë e cila u mundëson atyre që ta hedhin poshtë çdo gjë që nuk u pëlqen nga të vërtetat e biografisë profetike, sado që të jetë e mbështetur me argumente shkencore dhe bindëse, duke i konsideruar prirjet shpirtërore, dëshirat personale dhe qëllimet e tyre të largëta si gjykues absolut mbi të vërtetat historike dhe analizimin e faktorëve pasues, gjykues absolut për pranimin e asaj që duhet të pranohet si dhe refuzimin e asaj që duhet të refuzohet.

Për shembull, kemi parë se çdo çështje e jashtëzakonshme që është transmetuar në mënyrë mutevatir nga suneti ose në mënyrë sarih (të qartë) nga Kurani ka shpjegim, edhe pse me vështirësi, në atë mënyrë që e kthen në harmoni me të zakonshmen dhe që e bën të përshtatet me qëllimin e kërkuar.

P.Sh.: "Tajru el-Ebabil", shpjegohet - edhe përkundër asaj se ajeti është i qartë me sëmundjen e lisë.

Israja, të cilën mjaft qartë e ka theksuar Kurani, komentohet me udhëtim shpirtëror dhe me botën e ëndrrave.

Melaiket me të cilat Allahu (xh.sh.) i mbështeti muslimanët në luftën e Bedrit, i komentojnë me përkrahje morale me të cilën Allahu (xh.sh.) i nderoi (?).





Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...