Banner

Biografia e Muhamedit (alejhi selam) në dritën e doktrinave bashkëkohore të shkrimit të historisë 1



Në shekullin e nëntëmbëdhjetë, krahas mënyrës objektive ose siç njihet "doktrina shkencore", u shfaqën metodologji të shumta rreth shënimit dhe regjistrimit të historisë. Shumica e këtyre doktrinave të shfaqura kanë si pikëtakim të ashtuquajturën "doktrinë subjektive", ku Zigmund Frojdi konsiderohet si njëri prej thirrësve më të mëdhenj të saj.

Ithtarët e kësaj doktrine nuk e shohin si të dëmshëm faktin që historiani të fusë edhe prirjet e tij personale ose drejtimin e tij ideologjik, fetar ose politik në komentimin e ngjarjeve apo vlerësimin ndaj personazheve që kishin rol kyç në ngjarje. Madje, ata janë të mendimit se ky është obligim i historianit, sepse ai nuk duhet thjesht të grumbullojë ngjarje e fakte historike, por duhet edhe t'i interpretojë ato sipas dritë vështrimit të tij.

Kjo mënyrë e shënimit të historisë e shndërron atë në një vepër artistike të thjeshtë dhe nuk lejon që ajo të konsiderohet zhvillim i një vepre të saktë shkencore.

Ne, edhe pse nuk jemi në shqyrtim të doktrinave historike dhe kritikës ndaj tyre, nuk duhet ta fshehim keqardhjen tonë që kjo doktrinë gjen (në kohën e shkencës dhe të krenarisë me të) thirrës në të dhe besimtarë të saj. Ngase kjo doktrinë mjafton që t'i shkërmoqë të gjitha faktet dhe ngjarjet të cilat i ngërthen koha në skeletin e saj të shenjtë e të vjetër, të prezantuara para gjeneratave, bazuar në imagjinatën premtuese, epshin vetjak dhe fanatizmin psikologjik. Sa e sa të vërteta janë zhdukur, sa e sa ngjarje janë ndryshuar, sa e sa lavdi janë mbuluar dhe sa të pafajshëm janë torturuar nën fuqinë e këtij gjyqi iluzionist tiranësh.

A ka pasur kjo doktrinë e re ndikim në shënimin e biografisë profetike dhe në metodën e analizës së saj në përgjithësi?

Në të vërtetë, kjo doktrinë e re në shënimin e historisë, për një grup hulumtuesish u bë bazë e shkollës së re në studimin e biografisë profetike dhe në kuptimin e saj. Si u ngrit kjo shkollë? Cilët janë faktorët e ngritjes së saj? Si është fati i saj sot?

Ngritja e kësaj shkolle i kthehet ditëve të pushtimit britanik në Egjipt. Siç e dimë, Egjipti në atë kohë ishte minber i botës islame. Asaj i drejtohej çdokush që dëshironte njohuri rreth islamit, njëlloj sikur drejtohen njerëzit me fytyrat e tyre drejt Qabesë së Allahut, sa herë që dëshirojnë ta kryejnë haxhin dhe namazin.

Vazhdimi i këtij zëri të fuqishëm nga njëra anë dhe respektimi i botës islame ndaj saj nga ana tjetër, nuk linte për pushtuesin britanik shans për qetësi dhe vendosmëri. Sado që Britania e kishte nënshtruar për vete gjithë hapësirën nën ndikimin e fuqisë së hekurt dhe të zjarrtë, prapëseprapë ai ishte nënshtrim i përkohshëm në të cilin nuk mund të qetësohet, deri sa Ez'herit t'i mbetet kjo udhëheqësi e gjallë.

Për këtë arsye ishte e domosdoshme për pushtuesin britanik që të ndërmarrë njërin nga dy opsionet:

E para: të bëjë ndarjen ndërmjet Ez'herit dhe popullit, që atij mos t'i mbetet pushtet dhe ndikimi mbi ta.

E dyta: të arrihet hyrja tinëzare në qendrën operative të udhëheqjes së vetë Ez'herit, me qëllim që udhëheqësia e saj të orientohet në drejtim të asaj që u shërben interesave të pushtuesit dhe t'ia përgatisë pushtuesit shkaqet e qetësisë dhe stabilitetit.

Britania nuk hezitoi që ta zgjedhë opsionin e dytë, duke pasur parasysh se kjo është më e afërt për t'u arritur dhe më larg tërheqjes së vëmendjes. [3]



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".

[3] - Më gjerësisht rreth kësaj teme lexo librin 'Të vërtetat e patundura të Islamit', të autorit të këtij libri.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...