Banner

Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 2



Pra, cili është qëllimi i këtij pohimi?

Koncepti i pranuar nga të gjithë dijetarët e lëmenjve të ndryshëm si: juristët, sociologët dhe të gjithë intelektualët, lidhur me atë se një ligj apo fjala bie Sheriati islam është i vlefshëm për zbatim, dhe është në harmoni me interesat e njerëzve, qëndron në atë se ky shtet, që gjykon me Islam të kishte qenë i suksesshëm në zbatimin e ligjeve të sheriatit Islam ndaj njerëzve, pa marrë parasysh njerëzit ndaj të cilëve janë zbatuar këto ligje, a janë bërë të pagabueshëm apo kanë ngelur të gabueshëm.

Pra, një gjë e tillë (pagabueshmëria apo gabueshmëria e njerëzve) është krejtësisht diç tjetër dhe assesi nuk ka të bëjë me gjykimin islam. Por, i vetmi standard apo kriter i vlefshmërisë së zbatimit të Sheriatit islam, është që ne, kur të shikojmë, të shohim se ligjet që kanë qenë dominuese në kohën e të Dërguarit të Allahut, në kohën e Hulefai Rashidinëve të drejtë, apo në kohërat që vijnë pas, të kishin qenë po ato ligje që kanë zbritur nga Allahu Fuqiplotë, gjegjësisht të shpallura nga Allahu Fuqiplotë në zemrën e të Dërguarit të Tij dhe të gjejmë se njerëzit i kanë pranuar ato ligje me fjalë miradijeje dhe se ato (ligjet) të kenë qenë në përputhje me interesat e tyre dhe ato ligje të kenë mbrojtur njerëzit nga të këqijat dhe rreziqet.

Nëse këtë gjë e shohim dhe e gjejmë, atëherë një gjë e tillë është argument i prerë se Sheriati islam ka qenë i përshtatshëm për zbatim dhe jo vetëm në një kohë të ngushtë por edhe në kohërat tjera. Por, nëse e shohim se shoqëria njerëzore refuzon ato ligje dhe paraqitet irritimi ndërmjet interesave reale të njerëzve dhe ligjeve të Sheriatit islam, atëherë ky ligj nuk është i vlefshëm për zbatim dhe si rrjedhim i kësaj nuk është zbatuar.

Pas gjithë kësaj që u tha, a mund të mbetet ndonjë dyshim se kjo është për qëllim kur themi: "Shoqëri islame, ku praktikohet Islami" pra, kjo është ajo që deri tash e sqaruam.

Unë jam i bindur se ky është kuptimi (nocioni) që është për qëllim nga ajo fjalë dhe nuk ka ndonjë kuptim tjetër që e kundërshton këtë.

Ndërsa, për sa i përket konceptit të parë siç e potencuam më sipër, nuk është e mundur që logjika ta pranojë atë pasi njerëzit vazhdimisht do të mbeten njerëz dhe vazhdimisht do të jenë gabimtarë dhe nuk do të jetë askush (në përjashtim të pejgamberëve) i pagabueshëm gjegjësisht të mos ketë mundësi që të rrëshqasë në ndalesa të ndryshme.

Pra, pasi e kuptuam domethënien (konceptin) e "Kompetencës (vlefshmërisë) apo jo kompetencës (jo vlefshmërisë) së Sheriatit" për nga aspekti i zbatimit dhe harmonizimit të tij me shoqëritë, atëherë na mbetet që të parashtrojmë këtë pyetje: "Vallë mos ka qenë Sheriati i Allahut jo i përshtatshëm për zbatim dhe i zbatueshëm vetëm për një kohë të ngushtë d.m.th. nuk ka mundur të vazhdojë, afërsisht më tepër se tridhjetë ose njëzet e pesë vjet, apo me të vërtetë Sheriati Islam ka qenë i zbatueshëm dhe ka dominuar në shumë kohëra që kanë ardhur pas"?



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...