Biografia e Muhamedit (alejhi selam) në dritën e doktrinave bashkëkohore të shkrimit të historisë 2
Rruga e vetme për këtë hyrje tinëzare te udhëheqësia shkencore dhe ideologjike brenda Ez'herit ishte mbështetja në pikën e dobët e të dhembshme prej së cilës vuanin ndjenjat e umetit islam në përgjithësi, që e përfshinte Egjiptin dhe të tjerët. Ajo ishte ndjenja e muslimanëve që i kishte kapluar, sikur humbja, prapambetja dhe përçarja, kjo ndjenjë theksohej edhe më shumë kur e vërenin përparimin marramendës të cilin e kishte arritur perëndimi në të gjitha sferat ideologjike, shkencore dhe kulturore! Pa mëdyshje, muslimanët e shpresonin ditën në të cilën do të çlirohen nga vështirësitë që ishin shkaktare për prapambeturinë e tyre, që t'ju bashkëngjiten të tjerëve në udhëtimin drejt civilizimit, kulturës, qytetërimit dhe shkencave bashkëkohore.
Nga kjo rrugë depërtoi pëshpëritja, madje intriga e pushtuesit në gjokset e disa prej udhëheqësve ideologjikë në Egjipt. Qëllimi final i kësaj pëshpëritjeje ishte se perëndimi nuk u çlirua nga prangat e tij, përpos atë ditë kur fenë ia nënshtroi standardeve (normave) të shkencës. Pra, feja është diçka dhe shkenca diçka tjetër. Nuk arrihet harmonizimi ndërmjet tyre vetëm me nënshtrimin e të parës ndaj të dytës. Në qoftë se bota islame me të vërtetë është e interesuar për një çlirim të tillë si ky, atëherë s'ka rrugëdalje tjetër përveçse ta ndjekë të njëjtën rrugë dhe ta kuptojë islamin këtu siç e ka kuptuar perëndimi krishterimin atje. Një gjë e tillë nuk arrihet përpos me pastrimin e ideologjisë islame nga të gjitha çështjet metafizike (gajbijat) të cilat nuk kuptohen dhe nuk i nënshtrohen normave të reja shkencore.
Kësaj pëshpëritjeje së shpejti iu nënshtruan ata të cilëve iu verbuan sytë nga ky shkëlqim i jashtëm i përparimit evropian bashkëkohor. Ata të cilët nuk i kishin thelluar në zemrat e tyre të vërtetat e bindjes në Allahun dhe nuk i kishin të qarta në mendjet e tyre të vërtetat e shkencës bashkëkohore dhe rregullat e saj. Ata mes njëri-tjetrit bënë thirrje për çlirimin prej çdo besimi metafizik (gajb) në të cilin nuk kanë arritur zbulimet shkencore bashkëkohore dhe nuk i nënshtrohen eksperimentimit dhe vrojtimit njerëzor.
Ata realizuan atë që më pas u quajt "reforma fetare". Kjo bindje prej tyre kërkoi çështje të shumta, në mesin e të cilave edhe zhvillimin e shënimit të biografisë profetike dhe kuptimit të saj si dhe mbështetjen në metodën e re në analizimin e saj, që përputhet me atë që kishin për synim e që është largimi nga çdo gjë që hyn në grupimin e çështjeve metafizike dhe të jashtëzakonshmeve, të cilat shkenca bashkëkohore nuk i kupton dhe nuk i pranon.
Doktrina subjektive në regjistrimin e historisë ishte strehimi më i mirë që i ndihmonte ata në realizimin e qëllimeve të tyre.
Filluan të dalin libra dhe shënime mbi biografinë pejgamberike, të cilat në vend të normave të transmetimit, senedit dhe rregullave të bartjes së hadithit dhe kushteve të tij, përdornin metodën e konkludimit personal, peshoren e pëlqimit vetjak dhe të fshehtat e qëllimeve dhe doktrinave të cilat i fsheh autori.
Bazuar në këtë metodë, këta shkrimtarë filluan të largojnë nga biografia e Muhamedit (alejhi selam) çdo gjë që është në kundërshtim me të zakonshmen, që bën pjesë në grupin e mrekullive (muxhizeve) dhe në të jashtëzakonshmet. Filluan ta cilësojnë atë si gjeni, i madh, hero, etj., me qëllim që lexuesin ta largojnë nga cilësitë, të cilat ndoshta e tërheqin kah të jashtëzakonshmet si pejgamberia, shpallja (vahji), mesazhi dhe të ngjashme, të cilat përbëjnë komponentët kryesorë të personalitetit të Muhamedit (alejhi selam).
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".


