Biografia e Muhamedit (alejhi selam) në dritën e doktrinave bashkëkohore të shkrimit të historisë 4
Çështja e fundit e çuditshme dhe qesharake që është thënë në këtë mënyrë se komentimi i pejgamberisë në jetën e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam), besimi i sahabëve në atë pejgamberi dhe çlirimi islam në përgjithësi, të gjitha këto nuk kanë qenë tjetër vetëm se revolucion i së majtës kundër të djathtës, gjë të cilën e kanë nxitur faktorët ekonomik duke kërkuar jetë më të mirë materiale dhe këtë e kanë ndezur të varfrit kundër të pasurve e feudalëve.
Kjo metodë në studimin e biografisë profetike në veçanti dhe historisë islame në përgjithësi, ishte një komplot i rrezikshëm, me ç'rast prej saj u verbuan sytë e të thjeshtëve nëpërmjet disa muslimanëve dhe kjo u shkoi për epshi dhe u pranua mirë te një grup tjetër i hipokritëve dhe epshorëve.
Radhët e të rëndomtëve nuk e kuptuan që kjo pëshpëritje okupatore e cila i thërret muslimanët në të ashtuquajturin "revolucion reformues" në çështjet e besimit islam, në të vërtetë kishte për qëllim shpartallimin e këtij besimi që nga rrënja.
Nuk e kuptuan që zhveshja e islamit nga të vërtetat e tij metafizike do të thotë mbushja e tij me dinamit e cila do ta zhdukë tërësisht atë. Themi kështu ngase vahji hyjnor -i cili është burimi i islamit dhe referenca e tij- konsiderohet kulmi i të jashtëzakonshmeve dhe i të gjitha të vërtetave metafizike. S'ka dyshim se ai i cili shpejton që të refuzojë çështjet e jashtëzakonshme në biografinë profetike, duke argumentuar se nuk përputhet me normat, me ligjet natyrore dhe me arritjet e shkencës bashkëkohore, do të jetë edhe më i shpejtë në refuzimin e gjithë vahjit hyjnor dhe çështjet që i përmban ai, duke përfshirë informacionet rreth ringjalljes, llogarisë, xhenetit, xhehenemit me po të njëjtin argument natyror.
Gjithashtu ka munguar këndvështrimi nga ata se feja e mirë në esencën e saj nuk ka nevojë në asnjë kohë për reformues (që ta rregullojë atë) ose reformim (që ndryshon çështjet substanciale të saj).
E gjithë kjo mungoi nga këta njerëz, edhe pse njohja e tyre ndaj fesë ishte prej çështjeve më të thjeshta të shkencës, sikur ta shijonin të vërtetën e saj dhe të harmonizoheshin me logjikshmërinë e saj. Mirëpo, sytë e tyre u verbuan në ankthin (shqetësimin) e magjepsjes ndaj renesancës bashkëkohorë evropiane dhe çështjeve përreth, prej parullave të shkencës që ngriheshin në emër të saj dhe nuk kuptonin prej të vërtetave logjike dhe shkencore, përpos titujve. Ishte më se e nevojshme të kuptonin plotësisht se çfarë ka pas atyre titujve dhe përtej të vërtetës së brendësisë së atyre parullave. Kështu, nuk ndikonte asgjë në mendjen e tyre veçse fantazma e zgjimit "reformues" që do ta zhvillonin besimin islam këtu, njëlloj siç është zhvilluar besimi i krishterë atje.
Kështu pra, mbështetja e kësaj shkolle të re të cilën e përmendëm më lart në mënyrë të shkurtër, ishte më shumë rrëmujë psikike sesa e vërtetë shkencore e studiuar që mbizotëron në mendje.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".


