Etika e shitjes dhe e blerjes 1
Allahu xh.sh. në Kuranin famëlartë thotë: "Masën mbusheni kur matni (me enë) dhe peshoni me peshojë të drejtë (precize). Kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë", [El-Isra:35].
Allahu xh.sh., me këtë ajet madhështor, na urdhëron që të realizojmë një formë nga format më të dukshme të drejtësisë, e ajo është saktësia në peshojë në mes dy palëve gjatë shitjes dhe blerjes. Ky urdhër kur'anor përsëritet disa herë në Kur'an dhe Allahu xh.sh. iu kërcënohet atyre të cilëve nuk i nënshtrohen këtij urdhri të Tij. Këtë e potencon edhe vetë Allahu xh.sh. në Kur'an, në një ajet tjetër, ku thotë: "Të mjerët ata që mangut masin e peshojnë. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, e kur u matin ose u peshojnë të tjerëve, u lënë mangut", [Mutaf-fifijn:1-3].
Në ajetin e parë Allahu xh.sh. urdhëron që të jemi të drejtë dhe të sinqertë gjatë shitjes dhe na rikujton se kjo drejtësi është më e mirëseardhur dhe më e dobishme në të ardhmen, dhe kurrsesi mos gaboni që të mashtroheni me një fitim të shpejtë të kësaj jete gjatë mashtrimit të të tjerëve.
Kjo vepër është e urryer. Ky fitim, nga ky mashtrim dhe manipulim i popullit, shndërrohet në humbje dhe ngatërresa të rënda, dhe mu këtu shihet një pjesë e arsyes dhe e mençurisë së këtij urdhri kur'anor.
Allahu xh.sh., me këtë ajet kur'anor, na bën të ditur se padrejtësia në fillim duket e këndshme dhe fitimprurëse, e kjo e bën personin në fjalë që ai ta vazhdojë dhe të zhytet më shumë në këtë padrejtësi dhe në këtë vjedhje, derisa të bëhet i njohur në treg për këtë gjest të pamoralshëm dhe ta humbasë autoritetin dhe besimin e tij në masë, për arsye se është i bërë i njohur për vjedhje dhe kështu, gradualisht, ai humbet totalisht.
Ky përfundim i keq vjen si rezultat i fitimit nga mashtrimi i popullit në fillim të tregtisë. Ja pra ky ishte komentimi i ajetit në fjalë "kjo është më e dobishme dhe ka përfundim më të mirë".
Ndërsa arsyeja dhe mençuria tjetër e këtij urdhri kur'anor qëndron në faktin se marrëdhëniet e sinqerta dhe të drejta në mes muslimanëve shpien në përforcimin e dashurisë dhe të sigurisë në mes tyre, dhe se dashuria në mesin e tyre forcohet aq sa ata janë të drejtë dhe të saktë në marrëdhëniet e tyre në mes vete.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".


