Banner

Etika e shitjes dhe e blerjes 2



Po edhe anasjelltas, mungesa e sinqeritetit dhe e drejtësisë në mes tyre, përhapja e korrupsionit dhe e vjedhjes në mesin e tyre, është shkaku më i madh dhe më kryesor për përçarjen, ndarjen, hidhërimin, xhelozinë dhe urrejtjen e muslimanëve në mes vete.

Ajeti i lartpërmendur vë në shënjestër këtë mashtrim dhe këtë vjedhje të thjeshtë dhe të vogël në peshojë, duke mos u futur në detajet e metodave të tjera të mashtrimit, dhe e ndalon rreptësisht këtë vjedhje edhe pse është ndoshta e thjeshtë dhe nuk mund të vërehet gjatë shitjes apo blerjes, sepse çdo vepër e keqe dhe e ndaluar në fillim praktikohet ngadalë, duke mos i kushtuar rëndësi rrezikut të saj. Në këtë mënyrë, personi vazhdon të zhytet në haram dhe, dalëngadalë, më vonë, ky person zbulon metoda të reja të vjedhjes dhe të mashtrimit dhe, kështu, tregtia e tij që ishte hallall shndërrohet në haram, për arsye se ai po e merr pasurinë e të tjerëve në mënyrë joligjore.

Kjo është një metodë dhe një stil i lartë i Kur'anit, me të cilin ai veçohet nga çdo libër tjetër. Kur ai e ndalon ndonjë vepër të keqe, gjithmonë e ndalon me qëllim që njeriu të mos zhytet në haram qysh në shkallën e parë. Po ashtu, Kur'ani i ndalon shkaqet paraprake që shpien në haram, dhe, në të shumtën e rasteve, ai nuk i tregon pasojat e veprave të këqija. Gjithmonë, në fillim, Kur'ani i kushton rëndësi faktit që të mos i mashtrojmë të tjerët, sepse mënyra e vetme që të shpëtojmë nga harami është që të mos i trasojmë gjurmët e haramit dhe të mos ecim shtigjeve të tij.

E kur njeriu i futet rrugës së haramit dhe arrin në mes, atëherë e ka shumë vështirë të kthehet prapa. Janë shumë të paktë ata të cilët kanë shpëtuar dhe janë kthyer prapa.

Mu për këtë arsye, Allahu xh.sh. na ndalon gjithmonë që mos t'i afrohemi haramit apo shkatërrimit. Allahu xh.sh. thotë: "Dhe mos iu afroni të këqijave çka janë të dukshme dhe të padukshme apo të fshehta", [El-En'am:151].

Dhe përsëri Allahu xh.sh. thotë: "Dhe mos iu afroni mallit të jetimit për ta ngrënë në mënyrë të padrejtë pasurinë e tij", [El-En'am:152]

Po ashtu, Allahu xh.sh. thotë: "Dhe mos iu afroni zinasë (prostitucionit), se me të vërtetë ajo është vepër e keqe dhe rrugë e shëmtuar dhe e urryer", [El-Isra:32].



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...