Banner

Kur duhet të ndërpritet imitimi i medhhebit dhe i imamit të tij?



Ekzistojnë dy raste kur imituesi në çfarëdo qoftë gjendje ka për obligim që të ndërpresë imitimin e medhhebit dhe imamit të tij:

Rasti i pare: Kur lidhur me ndonjë çështje arrinë në atë nivel që ta njohë atë çështje nga të gjitha anët, duke përfshirë argumentet dhe mënyrën e nxjerrjes së dispozitës prej tyre. Në këtë rast, e ka për obligim që t'i përmbahet ixhtihadit të tij dhe nuk ka të drejtë që ta lë atë anësh e të vazhdojë ta imitojë imamin e tij.

Nëse ka aftësi për më shumë se një çështje, atëherë vendimi është po ashtu i njëjtë.

Rasti i dytë: Nëse vëren ndonjë hadith që ka kuptim të kundërt me mendimin e imamit të cilin e imiton. Nëse është vërtetuar se hadithi është sahih (i vërtetë) dhe argumentimi i tij është i prerë, atëherë ai në këtë rast duhet t'i përmbahet vendimit të hadithit dhe të heqë dorë prej imitimit të medhhebit të tij në atë çështje. Sepse që të katër imamët kanë porositur shokët dhe nxënësit e tyre, se nëse vërejnë ndonjë hadith të vërtetë që bie në kundërshtim me ixhtihadin e tyre, atëherë duhet vepruar sipas hadithit.

Kalimi prej ixhtihadit të imamëve në kuptimin e hadithit është në realitet pjesë e pandarë e medhhebëve të katër imamëve, sepse të gjithë e pranojnë dhe kanë porositur për të.

Mirëpo, për këtë çështje ekzistojnë kushte që duhet patjetër të dihen dhe të kihen parasysh. Nuk do të thotë se çdo hadith që e vëren hulumtuesi dhe e sheh se jep kuptim të kundërt me ixhtihadin e imamit të tij, është argument për atë që e ka kuptuar ai.

Në lidhje me sqarimin e kësaj çështje, imam Neveviu në librin e tij "El-Mexhmu'" thotë: "... këtë që e ka thënë Shafiiu nuk do të thotë se çdokush që e sheh ndonjë hadithë të vërtetë ka të drejtë të thotë: ky është medhhebi i Shafiiut dhe të veprojë sipas kuptimit sipërfaqësor të tij. Këtë të drejtë e ka ai person që ka arritur gradën e ixhtihadit në atë çështje. Është kusht që t'ia marrë mendja se imam Shafiiut nuk i ka arritur ky hadith ose nuk e ka ditur se a është i vërtetë apo jo. Kjo arrihet pasi t'i lexojë të gjitha librat e imam Shafiiut ose librat e nxënësve të tij. Ky është një kusht i vështirë që shumë pak veta mund ta plotësojnë. Këtë kusht e kanë kushtëzuar për arsye se imam Shafiiu -rahimehullah- nuk ka vepruar me shumë hadithe që i ka parë dhe i ka ditur, ngase është vërtetuar tek ai se ato hadithe janë të pavërteta, të deroguara, të paqarta e kështu me radhë". [1]

Për lënien e kuptimit sipërfaqësor të ndonjë hadithi nga ana e ndonjë imamit, ekzistojnë shumë shkaqe ixhtihadike. Ibn Tejmije këto shkaqe i ka numëruar deri ne dhjetë. Ai këtyre shkaqeve ia ka bashkangjitur edhe një shkak tjetër, ku thotë se: "dijetari ka të drejtë që të mos veprojë sipas ndonjë hadithi për ndonjë shkak të cilin ne nuk e dimë, sepse rrugët e përfitimit të diturisë janë të shumta". [2]

Nëse përpiqemi që t'i dijmë shkaqet e lënies së imamit për të vepruar me ndonjë hadith dhe nuk gjejmë asnjë shkak prej dhjetë shkaqeve që i ka cekur Ibn Tejmije, atëherë nuk lejohet që të hiqet dorë nga kuptimi i hadithit të vërtetë, me argumentim se ndoshta muxhtehidi ka ndonjë arsyetim që nuk e dimë ne të cilin nuk e ka cekur, sepse gabimi më së shumti mund të ndodhë te dijetarët se sa në argumentet e sheriatit, pas analizimit të mprehtë të tyre dhe kuptimit të qëllimit të tyre. [3]

Këto ishin argumentet që lejojnë imitimin për atë person, i cili nuk ka arritur gradën e muxhtehidit. Po ashtu argumentet që lejojnë imitimin e vazhdueshëm të një medhhebi të caktuar dhe argumentet që lejojnë kalimin prej njërit medhheb në tjetrin. I treguam gjerësisht dhe në mënyrë të qartë, që nuk përmbajnë asnjëfarë paqartësie.

Andaj lexues i nderuar, nëse je objektiv dhe i liruar prej fanatizmit dhe kokëfortësisë, do të vëreshë se atë që e kam thënë është e vërtetë. Po nëse je nën ndikimin e fanatizmit dhe kotësive, gjithë atë që e kemi thënë, është e kotë dhe e pavlerë. Në këtë rast është e pamundur që të gjesh ilaç për fanatizmin dhe kotësitë e tua. Ilaç i vetëm është që të lus Allahun për mua dhe për ty, që të na shpëtojë prej ngacmimeve epshore, të na dhurojë begatinë e sinqeritetit për fenë e Tij dhe objektivitetin në të kuptuarit e sheriatit.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".

[1] - Neveviu: El-Mexhmu', 1/64.
[2] - Shih Ref ul-melam anil-eimmetil-ealam të Ibn Tejmijes, f.31.
[3] - Po aty.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...