Banner

Faktori kryesor i dështimit të metodave të studimit te perëndimorët



Megjithatë do të të flas përsëri për faktorin e thellë të këtij fenomeni të habitshëm te këta njerëz. Perëndimorët përsa i përket qëndrimit të tyre ndaj fesë së krishterë, ndahen në dy grupe: fetarë që i nënshtrohen dhe që i besojnë përmbajtjes dhe dispozitave të saja. Kurse grupi i dytë, mohues të saj, nuk i nënshtrohen, nuk e ndjekin e as që e besojnë atë.

Kur është fjala për fetarët e tyre, ata nuk kanë mundur që të gjitha elementet dhe dogmat fetare t'i përtypin në mënyrë shkencore dhe racionale (sepse feja e tyre në shumicën e kërkesave bie në kundërshtim të hapur me mendjen dhe shkencën saqë është e pamundur të ketë harmonizim dhe ndonjë interpretim. Ata njëkohësisht panë se edhe natyra njerëzore këmbëngul, kërkon dhe ka nevojë për ndonjë fe, të cilës duhet t'i binden dhe Zotit që duhet t'i nënshtrohen. Njëkohësisht kishin bindje se nuk mund të garantohet shumica e vlerave etiko-morale dhe realizimi i tyre përveçse nëpërmjet garantimit dhe ndikimit të fesë që ka te njeriu.

Kështu që në ambientin e tyre u ballafaquan me dy alternativa: o të refuzojnë fenë e shtrembëruar, o të refuzojnë mendjen e shëndoshë. Por këta i dhanë përparësi të parës ndaj të dytës kështu që refuzuan mendjen e shëndoshë dhe nuk refuzuan fenë e shtrembëruar. Prandaj ishin këta që u bënë dogmatikë të mirëfilltë.

Kurse të pafetë, grupi i dytë, i dhanë përparësi refuzimit të fesë së shtrembëruar ndaj mendjes së shëndoshë. Por dhe këta u mjaftuan me konceptet e mendjes së shëndoshë, duke refuzuar fenë, e cila ishte tek ata dhe e interpretuan ashtu si deshën ta imagjinojnë e ta shohin duke mos u kthyer nga feja e vërtetë, principeve dhe dispozitave të së cilës i përulet mendja dhe shkenca. Por ata nga kjo i shmangi një ndjenjë tjetër e që është fanatizmi dhe subjektivizmi evropian dhe frika e vazhdueshme se po kthehen muslimanët edhe njëherë të udhëheqin botën siç ka qenë dikur. Megjithatë ata u emërtuan shkencëtarë.

Është e njohur se ka edhe prej arabëve dhe muslimanëve, njerëz që i llogarit si për njerëz që logjikojnë, mendojnë e flasin, por në realitet s'janë gjë tjetër vetëm se hije të zbehta e të shtrira që lëvizin sipas lëvizjeve, ideologjive dhe filozofive të Evropës.

Këta njerëz panë se në Evropë feja ka dy interpretime: ai pozitiv, i cili në realitet është interpretim dogmativ i pastër dhe tjetri ai negativ siç e quajnë interpretim i kulluar shkencor. Kështu këta dy interpretime i sollën prej atje dhe ia hodhën edhe Fesë Islame dhe kjo jo për gjë tjetër vetëm që të kompletohet hija dhe imitimi të jetë i fuqishëm nga të gjitha anët. Pra, ky ishte faktori kryesor i kësaj dukurie të çuditshme te këta njerëz.

Neve nuk na intereson absolutisht çështja e njerëzve të këtij lloji sepse pasi njeriu i mençur e i lirë të ketë kuptuar ato që sqarova në këtë parathënie, d.m.th., se Islami nuk ka të bëjë me këto dogma për të cilat Evropa hyri në konflikt me mendjen dhe se të gjithë parimet e Islamit ngrihen mbi një metodë të saktë shkencore e të pastër ku mbisundon vetëm arsyeja, duke mos patur ndikim asnjëlloj fanatizmi, ose dëshirë për ndonjë dogmë apo imitim tradicional.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...