Çdo femër që beson në Allahun 3
Gruaja në përgjithësi është lënda më e rrezikshme e provimit në jetën e njeriut. Ndoshta do të thuash, motër e dashur, pse mos vallë mashkulli nuk llogaritet si elementi më i rrezikshëm i provimit në jetën e gruas, pasi ndjenjat seksuale i kanë që të dy gjinitë, dhe janë të barabartë në obligimet e tyre?! Përgjigja do të ishte: Krijuesi i Urtë i Madhërishëm natyrën e femrës e ka bërë (sipas normave psikike të saj) që ajo të propozohet (kërkohet) më tepër se sa ajo të propozojë e kërkojë burrin, prandaj ajo sado që të ndjejë lakmi seksuale në vete prapëseprapë anon (për shkak të normave të saj psikike) nga ajo që të presë që dikush ta propozojë e ta kërkojë atë dhe i imponon mashkullit rrethana dhe shkaqe që mashkulli vazhdimisht ta kërkojë atë.
Shkurtimisht Muhammedi alejhis-salatu ves-selam e tregon këtë të vërtetë në fjalën e tij: "Pas meje nuk do të ketë për burrat mashtrim (sprovë - fitne) më të dëmshëm se gratë", (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).
***
Pasi mbaruam me sqarimin e kësaj të vërtete, pra dije motër e dashur, se esenca e këtij mashtrimi me të cilin mashkulli sprovohet është në dorën tënde. Në dorën e gruas është se a do të bëjë prej vetes fatkeqësi të madhe për burrin si goditja e rrufesë, deri në atë masë sa burri nuk do të mund të gjente shpëtim prej saj, ose do të bëhet ndihmëse që ai të vazhdojë dhe të ecë në rrugën e shpëtimit.
Sa e sa popuj ka pasur në histori me famë të lartë, të cilët kanë sunduar popujt e tjerë, por fuqia e tyre është dobësuar e pastaj është shkatërruar sundimi i tyre për arsye se te këta popuj me të madhe është paraqitur prishja e moralit, për të cilën gjë ata janë treguar mjaft liberal, shkaku i tërë kësaj ka qenë gruaja. Raste të tilla kemi në rrënimin e Perandorisë Romake, Perandorisë Mazdeke dhe të civilizimit Indian, të cilat të gjithë ne i kemi të njohura.
Prej tërë kësaj nënkuptojmë se njëra ndër detyrat më të rëndësishme islame me të cilën e ka obliguar Allahu xhel-le shanuhu gruan është që ajo të futë në këllëf armën e mashtrimit të saj në prani të burrave, që ata të mos bien në kthetrat e kësaj fatkeqësie apo të këtij sprovimi.
Të gjithë dijetarët janë të një mendimi (Ixhmai) se gruaja nuk mund të arrijë kënaqësinë e Allahut xhel-le shanuhu me asnjë vepër prej veprave të mira siç mund të arrijë atë me përpjekjen e saj që t'i ndihmojë mashkullit në ruajtjen e moralit dhe në frenimin e epshit të tij. Në të njëjtën kohë ajo nuk mund të jetë shkaktare e hidhërimit të Allahut xhel-le shanuhu me asnjë vepër tjetër prej veprave të ndaluara siç mund të jetë shkaktare me përpjekjet e saj që të ngjallë prirjet (lakmitë) epshore të burrit, ta largojë atë nga çiltërsia dhe nga morali i pastër.
Pjesa më e madhe e banorëve të Xhehennemit janë gratë. Vetë lajmërimi i Muhammedit alejhis-salatu ves-selam se ka një sërë faktorësh që e determinojnë këtë pozitë të papëlqyeshme të femrës dhe ndër më kryesoret është se ato nuk i frikësohen Allahut xhel-le shanuhu në këtë detyrë të rrezikshme me të cilën Ai i obligon.
***
Ti mjaft mirë e di, motër e dashur që beson në Allahun xhel-le shanuhu se më shumë që e frikëson Perëndimin (në të dy anët Evropë e Amerikë) prej myslimanëve është Islami i tyre! Udhëheqësit e tyre shumë mirë e dinë atë pas studimeve të tyre objektive dhe të gjera, se renesanca evropiane nuk i ka lëshuar rrezet në jetën e tyre, deri sa në atë ditë kur perëndoi ndikimi i aktivitetit islam dhe fuqia e tij nga jeta e myslimaneve. Sikur botën islame mos ta kaplonte errësira e largimit prej Sheriatit Islam dhe vendimit të tij, në Evropë nuk do të shkëlqente asnjë rreze gnostike e as shkencore dhe nuk do të jepej rast që ato të kenë dobi prej tyre.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Femrës që beson Allahun Fuqiplotë".


