Banner

Çdo femër që beson në Allahun 2



Edhe pse e dimë se kalimi (përjetimi) i kësaj kohe të provimit, është i njëjtë si për femrat ashtu edhe për meshkujt, por femrat dallohen prej meshkujve me një ngarkesë e cila është mjaft e rrezikshme në këtë botë dhe që lë pasoja të rënda në botën e ardhshme.

Krahas asaj që femra është e njëjtë për sa i përket kalimit të kësaj kohe të provimit, ajo konsiderohet ndër lëndët më të rëndësishme edhe nga vetë provimi! Femra ka këtë statut për shkak se lakmitë e shumëllojshme janë ndër më të rënda të kësaj bote, kurse gruaja me vendimin e Allahut xhel-le shanuhu në librin e Tij është lloji i parë nga llojet e këtyre lakmive. Për këtë Allahu xhel-le shanuhu thotë: "U hijeshua për njerëzit lakmia ndaj grave, femijëve, arit dhe argjendit të grumbulluar, kuajve të bukur, bagëtisë dhe të lashtave. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por vendi më i bukur i kthimit është xheneti", (Ali Imran:14).

Nga lakmitë më të mëdha, Allahu xhel-le shanuhu në vend të parë vë gratë të cilat i ka krijuar si stoli dhe sprovë për burrat. Po të mos ia kalonin gratë të gjitha lakmive tjera, Allahu xhel-le shanuhu nuk do t'i vinte para të gjithave. Pra femra në jetën e njeriut është sprovë më e rrezikshme në përgjithësi.

E fshehta e kësaj është se të gjitha gjynahet e tjera, të cilat i ka ndaluar Allahu xhel-le shanuhu për robin e Tij, nuk kanë me njeriun kurrfarë përputhshmërie. Dhuna, me gjithë llojet e saj, është e ndaluar (haram) dhe që njeriu të largohet prej saj e ndihmon edhe vetë natyra e njeriut e cila është në kundërshtim me të. Pija alkoolike është e ndaluar dhe largimin prej saj e lehtëson ajo se natyra origjinale e njeriut nuk e do atë, gjithashtu vjedhja, mashtrimi, përgojimi, shpifja dhe ndalesat e tjera nuk pajtohen me natyrën e shëndoshë të njeriut. Nga ky ligj nuk bën përjashtim askush përveç ata që kanë të meta apo ata që kanë devijuar vijën e natyrës së tyre të shëndoshë për shkaqe të ndryshme.

Përjashtim nga këto gjynahe bën vetëm instinkti seksual, si te mashkulli ashtu edhe te femra. Ky instinkt veç asaj që nxit njeriun të bëjë atë që është e ndaluar, është edhe në përputhshmëri me natyrën e njeriut dhe është një ndër ndalesat më të rrepta të Sheriatit (nëse nuk rregullohet sipas normave dhe kufijve të caktuar). Nga ana tjetër instinkti në fjalë, konsiderohet edhe nevojë e domosdoshme e natyrës njerëzore dhe se cilido njeri qoftë (nëse është njeri që nuk ka të meta në natyrën e vetë) nuk mund të shmanget nga kjo apo të dalë jashtë kësaj.

Nëpërmjet këtij krahasimi mund të kuptosh se te njeriu instinkti seksual është sprovim më i rrezikshëm fetar në jetën e tij, për atë se për gjynahet e ndalesat e tjera natyra e njeriut shërben si ndihmëse për ta larguar atë nga gjynahet dhe shëmtimet e llojllojshme, kurse kur është fjala për instinktin seksual, natyra e njeriut bile edhe e nxit këtë instinkt ose është e paaftë (në rastet e volitshme) ta frenojë atë ose të zvogëloje afshin e atij instinkti.

Në bazë të asaj që u tha del se zgjidhja (ilaçi më i mirë) islam për largimin nga gjynahet qëndron në përpjekjen maksimale për t'u ikur atyre dhe për t'i mbizotëruar ato. Por, për sa i përket çështjes seksuale shërimi (ilaçi) për këtë është të bëhet ngopja dhe dëfrimi i këtij instinkti seksual, por me kusht që kjo të bëhet brenda kufijve të caktuar të Sheriatit dhe të mos tejkalohen. Pra kjo është domethënia e fjalës sonë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femrës që beson Allahun Fuqiplotë".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...