JoMedhhebizmi: Çka do të thotë imitimi i një imami dhe kapja për medhhebin e tij? 2
E para: Të jetë muxhtehid në dispozitat e sheriatit të Allahut, e në këtë rast ai duhet të veprojë sipas ixhtihadit të tij.
E dyta: Të jetë imitues që nuk posedon njohuri për nxjerrjen e dispozitave. Në këtë rast, është patjetër që të ketë prijës që e udhëheqë dhe dijetar që e imiton. Është e ditur se imitimin që ia bën atij e bënë vetëm për atë se posedon njohuri që ia mundësojnë nxjerrjen e dispozitave. Argument për të është se imituesi nëse e di ose ia merr mendja se ai nuk e posedon këtë aftësi për nxjerrjen e dispozitave, nuk lejohet për atë që ta imitojë.
Bile nuk lejohet për njeriun e rëndomtë ose për të tjerët që të imitojnë dikë tjetër nëse kanë dijeni se ai nuk është prej atyre që duhet imituar, sikurse që nuk lejohet që i sëmuri t'ia dorëzojë veten e tij atij njeriu që e di se nuk është mjek, përpos nëse është i çmendur. Nëse çështja është kështu, atëherë ai i nënshtrohet muftiut nga qenia e tij si dijetar që duhet të imitohet e jo nga qenia si filani dhe filani. Në këtë çështje nuk lejohet kundërshtimi, edhe në baza të sheriatit edhe në baza logjike.
E treta: Të jetë dijetar, por jo në gradën e muxhtehidëve. E kupton argumentin, pozitën e tij dhe ka aftësi për t'u përcaktuar për mendimin më të saktë. Për këtë person ose të merren parasysh përcaktimet e tij ose jo. Nëse merren parasysh, atëherë ai bëhet sikur muxhtehidi në atë çështje. Po nëse nuk merren, atëherë ai kthehet në gradën e njeriut të rëndomtë, që duhet të imitojë muxhtehidin.
Nëse e ke të qartë këtë -kur ti këtë fjalë e analizon me objektivitet e jo me fanatizëm- do të vëreshë se fjala e autorit të broshurës ku thotë: "Dije se medhheb i vërtetë që duhet të imitohet është medhhebi i Muhamedit a.s.. Ai është imami më i madh dhe imitimi i tij është vaxhib". Po ashtu ku thotë: "Nëse gjërat në origjinë janë kështu, atëherë prej nga erdhën këto medhhebe? Për çka u përhapën dhe iu imponuan njerëzve"?, është fjalë e një injoranti të çuditshëm. Më pas i shanë dhe i fyen imituesit e këtyre medhhebeve!
Ai e injoron atë që e di çdo studiues i historisë së të drejtës së sheriatit islam rreth lindjes së medhhebeve dhe burimit prej ku kanë ardhur, për të cilën folëm diçka në këtë libër. Ai e bënë këtë për t'i mashtruar njerëzit e rëndomtë se kinse imitimi i medhhebeve ka qenë për shkak se ato kanë qenë më të vlefshme se medhhebi i Muhamedit a.s.!!
Me të vërtetë ky dyshim ka depërtuar në kokat e shumë njerëzve të rëndomtë, të cilët nuk dinë asgjë rreth ixhtihadit, imitimit dhe lindjes së medhhebeve. Ky mashtrim ka depërtuar në kokat e tyre, derisa njëri prej tyre thotë: "Me të vërtetë vëllai im, ne a jemi imituesit e Muhamedit a.s. apo imituesit e Shafiiut. Çfarë vlere kanë medhhebet e këtyre imamëve para medhhebit të Muhamedit a.s."?!
Ky mashtrim a nuk është tradhti që duhet hequr dorë prej tij çdo person i mençur që posedon dituri, objektivitet dhe sinqeritet në fenë e Allahut?!
Vërtetë autori i broshurës a nuk e di realitetin e domethënies së imitimit të medhhebeve, të cilin e kanë shpjeguar të gjithë dijetarët në qindra libra dhe të cilin e ka regjistruar historia në pjesën më të madhe të burimeve dhe literatures së saj, dhe ai që të ketë arsyetim për padituri, kur ua thotë njerëzve të rëndomtë këtë fjalë të çuditshme?!
Nëse nuk e di këtë të vërtetë të qartë dhe megjithatë lufton për këtë thirrje të rrezikshme s'ka fjalë se është çështje e keqe që duhet pikëlluar për të. Po nëse e di siç e dinë të gjithë hulumtuesit dhe njerëzit e kulturuar, por e injoron që të ketë hapësirë që me bid'atin e tij të depërtojë në mendjet e njerëzve, në këtë rast çështja është edhe më e rrezikshme dhe më e keqe!!
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI - bid'ati më i rrezikshëm që kërcënon sheriatin islam".


