Lindja e Aishes (radijallahu anha!), prejardhja dhe fëmijëria e saj
Sipas versionit më të besueshëm, Aisha (radijallahu anha!) është lindur në Mekë, shtatë vjet para Hixhretit të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!) në Medinë. Në një version të besueshëm transmetohet se Aisha (radijallahu anha!), ka deklaruar: "I Dërguari i All-llahut (sal-lallahu alejhi ve sel-leml), u martua me mua - respektivisht lidhëm kurorë - kur unë i kisha gjashtë vjet, ndërsa jetën bashkëshortore me mua e filloi kur unë i kisha nëntë vjet". [4]
Prandaj, nëse e dimë se Muhammedi (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!), e ka filluar jetën bashkëshortore me Aishen në muajin shevval të vitit të dytë të Hixhretit, pas Betejës së Bedrit, atëherë na bëhet e qartë që hazreti Aisha është lindur shtatë vjet para Hixhrit. Pra, ajo është prej atyre që janë lindur në djepin e Islamit dhe sytë e të cilëve janë hapur në dritën e tij.
Ndërsa sa i përket prejardhjes së saj, babai i saj ka qenë Ebu Bekri (radijallahu anhu!), shoku më i mirë i të Dërguarit të All-llahut (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!). Emri i tij i plotë është Abdullah b. Ebi-Kuhafe, ndërsa babai i Ebu-Kuhafe ka qenë Osman b. Amr b. K'ab b. S'ad b. Tejjim b. Murre, origjina e të cilit lidhet me origjinën e të Dërguarit të All-llahut (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!). Babai i saj para Islamit quhej Abdu-l-Ka'beh (robi i Qabes), ndërsa i Dërguari i All-llahut (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!), kur e pranoi Islamin e quajti Abdullah (rob i All-llahut), siç thuhet në librin Sijer E'alami-n-Nubela.
Botërisht dihet se është quajtur Es-Siddik (i Besueshëm, i Drejtë dhe mik Besnik) që në periudhën para Islamit, pastaj kjo nofkë u përforcua me pranimin e Islamit, gjegjësisht atëherë kur mushrikët (paganët) e informuan mbi lajmin e çuditshëm të shpallur nga i Dërguari i All-llahut, (sal-lallahu alejhi ve sel-lem!), për Udhëtimin e Natës (Isra' dhe Miraxh) në Xhaminë El-Aksa, e më pas në qiell, ndërsa Ebu-Bekri (radijallahu anhu!), fare qetë u tha: "Nëse Muhammedi e thotë këtë - atëherë ai e thotë të vërtetën".
Ndërsa sa i përket nënës, nofka e saj është Ummu Rumman. Ajo më së shumti njihej sipas nofkës - se sa sipas emrit të saj të vërtetë. Sipas të gjitha gjasave emri i saj ishte Zejneb. Transmetohet se është quajtur edhe Da'd b. Amir. Prejardhja e saj është nga fisi Kinane. Është nga femrat e parë që e pranoi Islamin. Aisha thotë: "Kur arrita t'i njoh prindërit e mi, ata veç më ishin muslimanë".
Nëna e Aishes (radijallahu anhal), Umm Rumani vdiq gjatë kohës së hilafetit të Osmanit, dhe jo, siç deklarojnë disa - se ajo vdiq në vitin e gjashtë hixhri. [5]
Aisha kishte vetëm një vëlla nga babai dhe nëna, Abdurrahmanin, ndërsa kishte disa vëllezër dhe motra nga ana e babait: Abdullahun, Esmanë, Muhammedin dhe Ummu Kulthumin.
Aisha, siç deklaron edhe vetë, kishte kaluar një fëmijëri të lumtur dhe pa brenga, duke luajtur me moshataret e saj, derisa u bë bashkëshorte e të Dërguarit të All-llahut (sal- lallahu alejhi ve sel-lem!).
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Aisha (radijallahu anha!) thotë: "Isha me shoqet e mia duke luajtur, kur më ftoi Ummu Rumani. U afrova pa ditur se çfarë kërkonte prej meje. Më mori për dore dhe më afroi te dera. Unë bëja: "Uh, uh!", deri sa u mbusha me frymë (e përshkruan emocionin prej befasisë). Pastaj më futi brenda në shtëpi ku ishin ulur gratë ensarite, të cilat thanë: "Qoftë për hajr edhe me bereqet"!
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Hazreti Aisha (radijallahu anha) Nëna e besimtarëve".
[4] - Hadithi është mutefekun alejh, d.m.th. transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.
[5] - Shih Fet'hu-I-Bari, 7/337 (komenti i Sahihu-I-Buhariut).


