Banner

Metoda e kontrollimit të tezave shkencore 2



Pra, s'ka asnjëfarë dobie që të thuash atë që u vjen mbarë disave se: Evropa këtë metodë e trashëgoi prej neve muslimanëve gjatë shekujve të mesëm dhe ngjarjeve historike të njohura. Ndërsa e vërteta është se aq sa Evropa është sot e pasur me këtë trashëgim, ne aq më tepër jemi të varfër në krahasim me krenarinë që zotëronim dikur. Ndërkaq ne arabët apo muslimanët duhet t'i hapim sytë shumë mirë për një të vërtetë që është shumë e qartë e që është se: Historia gjithmonë është pronë e kohës në të cilën ka lindur, ajo nuk le trashëgim, nder, krenari e as rënie por le për trashëgim mësimin, këshillën.

Por vlen të theksojmë se Evropa aq sa ka përparuar në fushën e shkencave natyrore dhe në ecuritë eksperimentale, ajo po aq ka ngecur mbrapa në fushën e koncepteve të tjera, të cilat radhiten nën emrin abstraktet dhe të padukshmet (metafiziket). Dijetarët dhe mendimtarët e tyre është dashur që karshi këtyre koncepteve të marrin njërin prej këtyre qëndrimeve:

Të mbyllin derën e studimit dhe të analizës midis vetes dhe këtyre koncepteve dhe ta konsiderojnë se arritjet e tyre në shkencat materiale-natyrore u mjaftojnë dhe se janë të panevojshëm për të dhënë ndonjë mund intelektual jashtë atyre (materialeve). E nëse nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë e as atë atëherë së paku lidhur me këtë të ndjekin një metodë objektive dhe me një vështrim të pastër shkencor.

Por realiteti flet për atë që ata nuk bëjnë as të parën e as të dytën. Ata lidhur me këtë gjatë hulumtimit dhe studimeve të tyre ndoqën një drejtim që më së paku mund të cilësohet si i pazakonshëm, i panjohur dhe i mëvetshëm.

Ata hulumtimin e tyre e fillojnë duke supozuar në kujtesat e tyre teori e teza dhe ato secili sipas oreksit të vet apo sipas frymëzimit të mjedisit, shoqërisë dhe studimit nën hijen e së cilës është formuar. Njëkohësisht nxjerrin argumente konkluzive që përputhen me atë që më parë e kanë supozuar e mbështetur. Kurse, nga ana tjetër trillojnë argumente në të cilat mbështesin tezat e tyre dhe ato thjesht të stimuluara nga pasionet e tyre.

Por që të mos u bëjmë padrejtësi një pakice prej hulumtuesve të tyre, të cilët u çliruan nga qëllimet e tyre e që hulumtimet e tyre mund të konsiderohen si gjysëm hulumtime të lira na duhet të themi: se ato që thamë paraqesin mentalitetin me të cilin përfaqësohen shumica e mendimtarëve perëndimorë dhe ato për çështjet shkencore të tipit të përmendur.

S'ka dyshim se reflektimi më i qartë i kësaj të vërtete dhe argumentimi më flagrant që dëshmon për këtë të vërtetë është vetë shkolla ideore, e cila supozon se besimi fetar mund të varet dhe t'i nënshtrohet vullnetit shpirtëror. Pra, sipas tyre për të besuar diçka bindshëm mjafton që vullneti yt të drejtohet nga ajo gjë dhe të ndjesh nevojë për atë, atëherë vullneti dhe nevoja jote nuk do të jenë të pamundshëm që të të ofrojnë argument pas argumenti për besimin që u ndje tek ty. Ndër të parët që e ndoqën këtë metodë si mjet për hulumtim, është mendimtari i njohur Amerikan Uilliam Xhejms në librin e tij të njohur Pragmatizmi. Njëkohësisht ky libër është ndër burimet më të rëndësishme që thërrasin dhe që shpjegojnë këtë metodë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...