Banner

Femra dhe drejtat civile 1



Me drejtat civile nënkuptojmë drejtat qytetare si e drejta për pronësi, për disponim të pasurisë, lidhjen e marrëveshjeve, lidhjeve, etj.. Është e ditur që popujt e vjetër nuk ia kanë pranuar femrës asnjë drejtë qytetare, kështu që ajo nuk ka gëzuar kurrfarë drejtash civile. Meqë këta popuj konsideronin se mashkulli është pronar i personalitetit të femrës dhe se mund të bëjë me të si të dojë, ishte krejtësisht e natyrshme ta konsiderojnë robin, gjegjësisht atë që është vartës i tij dhe çdo gjë që posedon si pronësi e zotëriut. India brahmane, Kina dhe barbarët evropianë nuk ia kanë dhënë femrës të drejtë për pronësi dhe trashëgimi. Edhe Greqia i ka pasur në këtë kështu që vajzat kanë qenë të përjashtuara nga trashëgimia në rast se ekzistonin djemtë. Sa i përket legjislacionit romak, raporti i tij ndaj femrës ka qenë i ndyrshëm, siç e pamë më sipër, si batica dhe zbatica ... madje ky botëkuptim lidhur me femrën ka dominuar deri vonë në shumë shoqëri të civilizuara moderne.

Muhammed Xhemil Bejhemi në librin e tij Femra në lslam dhe civilizimin perëndimor deklaron: "Shoqëritë e civilizimit modern një kohë të gjatë i janë përmbajtur rregullit të zotërimit të bashkëshortit ndaj pasurisë dhe fitimit të bashkëshortes, andaj u kanë mohuar të drejtën e disponimit të pasurisë ose lidhjes së marrëveshjeve pa lejen e tyre, madje femra në martesë ka qenë më shumë e kufizuar se vajza. Legjislacioni në Francë, e cila konsiderohet djep i shoqërisë civile, ka përcaktuar që mashkulli jo vetëm që administron pasurinë e përbashkët të bashkëshortëve, por i përket edhe e drejta të administrojë patundshmëritë personale të gruas. Bashkëshortja, madje, edhe në mungesë të tij nuk ka të drejtë të shesë asgjë nga pasuria e përbashkët, as ka të drejtën e disponimit të pasurisë së vet pa lejen e tij. Pos kësaj bashkëshortja, gjithashtu, nuk guxon të pranojë dhuratë pa lejen e burrit, gjersa ai njëkohësisht ka të drejtë të dhurojë çka të dojë nga pasuria e përbashkët nga shtëpia e saj, madje edhe pasurinë e saj të tundshme. Thënë globalisht në bazë të ligjit të sotëm francez bashkëshortja duhet të jetë e bindur, të banojë me të sipas dëshirës së tij, të kërkojë prej tij leje për çdo gjë që dëshiron ta bëjë, madje edhe për shkuarje në gjykatë ku shkon në shoqëri të tij, pos nëse është akuzuar për ndonjë krim ose delikt kur mund t'i përgjigjet ftesës pa miratimin e tij. Pos kësaj, ajo nuk ka të drejtë të japë, shesë, huazojë, blejë, marrë ose pranojë dhuratë pa lejen e tij me shkrim". [1]



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".

[1] - El-mer'etu fi-l-islam we fi-l-hadareti-l-garbijje, f. 71-71, Daru-t-Tali'a, Bejrut. Verejtje: Autori këtë libër e ka botuar në vitin 1921 dhe prej atëherë Franca e ka përmirësuar këtë ligj dhe femra franceze ka fituar drejtën e vet për posedim dhe disponim të pasurisë për herë të parë në vitin 1938.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...