Femra dhe drejtat civile 2
Përkundër kësaj, Islami që është vërtetim i shpalljeve të mëhershme qiellore, e konfirmon pavarësinë e femrës nga mashkulli në drejtat e ndryshme civile, kështu e shpall lirinë e saj të plotë në disponimin e pasurisë së vet pa tutorin, nëse është e shëndoshë mentalisht dhe nëse nuk ekzistojnë arsye për tutorizëm dhe kujdestari. Islami, gjithashtu, shpall që femra i gëzon të gjitha drejtat materiale që i gëzon edhe mashkulli si huazimi, garancia, etj..
Që mashkulli dhe femra janë të pavarur në kuadër të këtyre të drejtave Allahu, xh.sh., në ajetin vijues thotë: "Dhe mos lakmoni atë me çka Allahu gradoi disa prej jush. Burrave u takon shpërblimi për atë që e bëjnë vetë, kurse grave u takon shpërblim për atë që e bëjnë vetë. Dhe kërkoni Allahut nga të mirat e Tij. Allahu, me të vërtetë, ka njohuri për çdo gjë", (En-Nisa, 32).
Duke bërë të ditur se drejta e femrës janë të pamohueshme në trashëgimi njësoj si edhe drejtat e mashkullit, Allahu, xh.sh., thotë: "Meshkujve u takon një pjesë nga ajo që e lënë prindërit dhe të afërmit, por edhe femrave u takon një pjesë nga ajo që e lënë prindërit dhe të afërmit, qoftë ajo pak apo shumë, një pjesë e caktuar", (En-Nisa, 7).
Allahu, xh.sh., ka caktuar mehrin (dhuratën martesore) si shpërblim për të në kohën e martesës së saj në mënyrë që të realizohet nevoja e saj e natyrshme për posedim dhe si kompensim për ato raste për punësim të cilat e kanë anashkaluar e të cilat zakonisht janë më të përshtatshme për mashkullin se atë dhe të cilat janë burim kryesor i të ardhurave, andaj thotë: "Dhe me bujari u jepni grave dhuratën e tyre të martesës ...", (En-Nisa, 4).
Ai ia ndalon mashkullit, qoftë ai babai, xhaxhai, gjyshi, vëllai apo dikush tjetër, të përvetësojë çkado qoftë nga dhurata e saj martesore, pos me lejimin e saj, prandaj menjëherë pas fjalisë së parë Lavdiploti thotë: "... e nëse ato me dëshirën e tyre u falin diçka, atëherë gëzojeni atë me mirësi dhe kënaqësi", (En-Nisa, 4).
Pastaj Ligjvënësi, xh.sh., kujdeset për këtë të drejtë dhe vërtetimin e saj, dhe paralajmëron atë që shumë meshkuj e kanë bërë në periudhën paraislamike kur kujdestarinë e tyre ndaj vajzës ose gruas babai gjegjësisht bashkëshorti i cilës ka vdekur janë keqtrajtuar dhe kanë vendosur për ardhmërinë e saj pa e pyetur fare atë, madje kanë mundur t'ia ndalojnë edhe martesën në mënyrë që të marrin në duar drejtat me të cilat Allahu, xh.sh., e ka nderuar: "O besimtarë, u është ndaluar të trashëgoni gratë si gjësende, jashtë dëshirës së tyre", (En-Nisa, 19).
Menjëherë pas kësaj paralajmëron për një situatë të ngjashme edhe atë kur mashkulli është i martuar me gruan të cilën më nuk e dëshiron pranë vetes, por e cila ka të drejtë ta pranojë mehrin, ndaj saj sillet keq në mënyrë që ta detyrojë ta heq dorë nga mehri vetëm të shpëtojë nga maltretimi dhe fyerjet e tij. Allahu,xh.sh., thotë: "... dhe as t'u shkaktoni vështirësi, me qëllim të përvetësimit nga ajo që u keni dhuruar, përveç nëse bëjnë mëkat të hapur. Jetoni mirë me to! E nëse ndjeni indinjatë ndaj tyre, mund të ndodhë që pikërisht në atë ndaj të cilës ndieni pështirë Allahu të japë të mirë të madhe", (En-Nisa, 19). [2]
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Selim SYLEJMANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Femra midis tiranisë së sistemit perëndimor dhe mëshirës së ligjit hyjnor".
[2] - Shih Tefsirin e Ibni Kethirit të këtij ajeti dhe arsyen e shpalljes së tij.


