Banner

Në çfarë metode udhëheqësit e luftës ideologjike përdorën gruan? 2



Po ashtu edhe dijetari i cili nuk ka drojë nga hidhërimi i Allahut xhel-le shanuhu dhe dëmi i Tij atë nuk e pengon që t'i komentojë tekstet e Sheriatit dhe të manipulojë me fjalët dhe domethëniet e tyre. Si pasojë e kësaj fatkeqësie është që disa njerëz me qëllime të mira janë larguar nga rruga e Allahut xhel-le shanuhu duke u bazuar në përgjigjet (fetvatë) e atyre që kanë manipuluar me fjalët e Allahut dhe të cilët u janë nënshtruar planeve të Perëndimit. Këta njerëz menduan se përgjigjet e dijetarëve të tillë tregojnë rrugën e Allahut duke mos ditur se këta nuk drejtojnë askund tjetër përveç se në luginat e thella për të vuajtur dënimin e përhershëm!


***

Problemin, të cilin unë e paraqita këtu, e bëra me qëllim që në bazë të logjikës së shëndoshë ta zgjidhim atë. Metoda logjike për zgjidhjen e këtij problemi është që së pari të sqarohet vendimi i Allahut xhel-le shanuhu që ka të bëjë me mbulesën, punën dhe arsimimin e femrës, duke i prezantuar ato burimisht të pastra prej shtesave dhe deformimeve të manipuluesve.

Unë nëpërmjet kësaj broshure (siç thashë edhe më parë) i drejtohem çdo femre e cila beson sinqerisht Allahun xhel-le shanuhu. Kjo femër gjithsesi nuk kërkon asgjë më tepër asaj që thelbësisht të tregohet vendimi i Allahut xhel-le shanuhu për këtë problematikë.

Megjithatë, pasi të përfundojmë me sqarimin e vendimit të Allahut xhel-le shanuhu dhe të pengesave që ata i trillojnë gjatë zbatimit të këtij vendimi, i cili është mjaft me rëndësi, e udhës është të pyetemi: A janë këto me të vërtetë problem? A mos vallë zbatimi i vendimit të Allahut xhel-le shanuhu në këtë çështje kërkon prej nesh të ngremë në pendë të lartë mes nesh dhe përparimit tonë?

Në këtë temë (me lejen e All-llahut xhel-le shanuhu) do ta sqarojmë me një pavarësi dhe liri të plotë, larg çdo fanatizmi, deri sa të na bëhet e qartë dhe të mos mbetet asnjë pengesë mes nesh dhe zbatimit të këtij vendimi. Pasi të kuptojmë vendimin e Allahut xhel-le shanuhu, nuk është e dëmshme për ne që të hulumtojmë pasojat dhe rezultatet që sjell zbatimi i këtij ligji, si ato të dobishmet ashtu edhe të dëmshmet, sepse zbulimi i pasojave të dobishme të zbatimit të këtij vendimi, përforcon besimin tonë dhe na ofron shëmbëlltyrë të dobishme, edhe për zbatimin e vendimeve të tjera të Allahut xhel-le shanuhu. Po ashtu zbulimi i pasojave të dëmshme (nëse ka) të zbatimit të këtij vendimi na jep përparësi për vështrim, hulumtim dhe ixhtihad për këtë çështje, pasi që vendimi i Allahut xhel-le shanuhu në vetvete nuk mund të sjellë dëm, apo te shpie në rrugë të gabuar.

Ndër rregullat më kryesore të legjislacionit tonë është fjala e Muhammedit alehis-salatu ves-selam, ku thotë: "Nuk lejohet dëmtimi e as kthimi i dëmit (dëm për dëm)".

Motër besimtare, shpresoj se ti do t'i pranosh fjalët e mia duke marrë për barometër vetëdijen e shëndoshë, vështrimin mendor të lirë i cili është larg çdo imitimi, e larg ngacmimeve emocionale apo ato të afshit, (pasi që epshi nuk duhet të mbizotërojë gjatë hulumtimit) si dhe duke marrë për barometër kujdesin, inspektimin e gjallë të besimit tënd në Allahun xhel-le shanuhu.

Kërkoj prej Allahut xhel-le shanuhu të na mbrojë nga veset tona të liga, të na udhëzojë në përdorimin e mendjes sonë të shëndoshë dhe të na ndihmojë për të gjetur mirëkuptim me popullin tonë, pasi padyshim Ai është ndihmësi më i mirë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femrës që beson Allahun Fuqiplotë".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...