Banner

Në çfarë metode udhëheqësit e luftës ideologjike përdorën gruan? 1



Në çfarë metode udhëheqësit e luftës ideologjike përdorën gruan si rrugë për të arritur qëllimin që e kishin dhe që akoma e kanë?

Shkurtimisht përgjigjja do të ishte: Ata kanë shkuar nga ajo që të jenë kundër çdo vendimi të cilin e ka caktuar Islami për çështjen e gruas!

Atë që Islami ka caktuar për gruan është që ajo të jetë e mbrojtur, e mbuluar dhe mos të nxjerrë në shesh asnjë prej pjesëve tërheqëse të saj në praninë e meshkujve. Puna e tyre ishte që të largojnë femrën sa ka mundësi prej normave të mbrojtjes (nderit, turpit) dhe mbulesës si dhe të nxisin atë, të ekspozojë bukuritë e veta të ndryshme në çdo vend si në tregje dhe në vendtakimet e tjera të tyre. Për arritjen e qëllimeve të tyre kanë shfrytëzuar çdo mynafik (dyfytyrësh), orator i cili është i gatshëm të ndërrojë fjalën e Allahut xhel-le shanuhu dhe vendimin e Tij për interesa të kësaj bote.

Atë që Islami ia caktoi gruas myslimane është që ajo të mos stoliset si në kohën e injorancës së njohur, të rrijë në shtëpinë e saj dhe të kujdeset deri në maksimum për të formuar familje të shëndoshë si dhe pasardhës me edukatë të mirë. Puna e tyre në këtë pikëpamje ishte të largojnë gruan prej shtëpie, që asaj të mos i bëhet mirë në shtëpi dhe të ngarkohet me ngarkesat e jetës dhe obligimet e ndryshme që të mos ketë mundësi të mendojë për shtëpinë dhe edukimin e fëmijëve.

Për realizimin e kësaj ideje ata janë përqendruar në pikën më të ndjeshme prej së cilës myslimanët më së tepërmi vuajnë dhe preokupohen. Filluan të propagandojnë se fshehtësia e prapambetjes është (e kjo është ajo që okupon mendjet e myslimaneve) paaftësia dhe dobësia e tyre në industrializim, dhe se industrializimi nuk ngrihet vetëm se me fuqi pune sa më të madhe, ndërsa kjo arrihet me pjesëmarrjen e gruas në punë. Ata pa ndërprerë përsërisin në veshët e myslimaneve se Perëndimi ua kalon atyre me një gjë e ajo është kujdesi i tyre për këtë të vërtetë, pra se ata shfrytëzojnë fuqinë tjetër njerëzore (gratë), kurse myslimanët përkundrazi hedhin poshtë gjysmën e saj!


***

Kjo intrigë, e cila tashmë është e vjetër dhe e qartë, ka filluar të okupojë mendjen e një grupi të madh të rinisë myslimane dhe të udhëheqësve të tyre, deri sa edhe filluan të mendojnë se me të vërtetë sekreti i prapambetjes së myslimanëve qëndron në Hixhabin (mbulesën) të cilën gruaja e lëshon mbi fytyrën e saj ose mbi pjesët tërheqëse të saj dhe se për ne nuk ka rrugë tjetër për të arritur qytetërimin bashkëkohorë dhe të barazohemi me popujt e tjerë të botës përparimtare nëse ne, krahas fuqisë punëtore të meshkujve, nuk ofrojmë edhe atë të grave.

Biseda rreth vendimit të Islamit për mbulesën, pastaj për punën dhe arsimimin e gruas për ata është bërë shqetësuese dhe problematike. Ky grup e përdor këtë si argument se Islami besimtarët i shpie në prapambetje në vend se t'i çojë në përparim.

Ajo që këtë e bëri më të rrezikshme është se pas tyre u paraqitën njerëz që filluan të manipulojnë me tekstet e Sheriatit dhe rregullat e tij, për të arritur ndonjë qëllim të kësaj bote, ose për të mos humbur pozitën, vendin e punës, autoritetin dhe të ngjashme: Ata, tekstet e Sheriatit i bënë sikur nenet e ligjeve, ku avokati për një interes të caktuar material nuk e pengon asgjë që të komentojë nenet e ligjit dhe të manipulojë me fjalitë dhe domethëniet e tyre.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Femrës që beson Allahun Fuqiplotë".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...