Banner

Metodologjia shkencore e transmetimit të biograflsë së Muhamedit (alejhi selam)



Është e njohur se shënimi i biografisë së Muhamedit (alejhi selam) bën pjesë në të përgjithshmen e asaj që quhet histori, edhe pse biografia e Muhamedit (alejhi selam) -siç sqaruam- shihet si nismë e historisë dhe shtytës për vrojtimin e ngjarjeve dhe ndodhive të cilat kanë kaluar më parë dhe të cilat kanë rrjedhur më pas. Mirëpo, në cilën metodologji janë mbështetur shkrimtarët e biografisë pejgamberike gjatë regjistrimit dhe shënimit të saj? Metodologjia në të cilën mbështeteshin për këtë çështje ishte zbatimi i asaj që quhet sot doktrina objektive në shënimin e historisë, bazuar në rregullat shkencore të cilat do t'i sqarojmë më vonë. Kjo do të thotë se shkrimtarët e biografisë së Muhamedit (alejhi selam) dhe dijetarët e saj kishin për detyrë vetëm regjistrimin e asaj që ishte e vërtetë, me standarde shkencore që shfaqen në rregullat e "Mustalah el-Hadith" që kanë të bëjnë me "senedin dhe metnin" (zinxhirin dhe tekstin) si dhe në "xherh ve ta'dil" që ka të bëjë me transmetuesit, biografinë dhe me gjendjen e tyre.

Nëse këto rregulla shkencore i çonin te një lajm apo ndodhi, ata rastin e regjistronin pa i futur paragjykimet, përshtypjet apo opinionet e tyre në këto ndodhi. E bënin këtë pa futur ndonjë lojë apo shtrembërim.

Ngjarjet historike të cilat i mësonin dhe i shënonin në bazë të këtyre rregullave shkencore të karakterizuara me saktësinë më të lartë i konsideronin si "të vërteta të shenjta" të cilat duhet të shfaqen para syve dhe mendjeve ashtu siç janë. Gjithashtu si tradhti që nuk falet i konsideronin analizat personale dhe dëshirat vetjake përshkruese të cilat në shumicën e rasteve janë reflektim i ambientit dhe fryt i papërgjegjshmërisë, duke hequr çfarë dëshironin apo duke shtrembëruar sipas qejfit.

Brenda kësaj mbrojtjeje të bazuar në rregullat shkencore dhe në bazë të vështrimit objektiv të historisë, deri te ne ka arritur biografia e Muhamedit (alejhi selam) duke përfshirë lindjen, prejardhjen, fëmijërinë, adoleshencën, shenjat e jashtëzakonshme që e shoqëruan gjatë periudhës së fëmijërisë dhe rinisë, shpalljen e tij si "pejgamber", dukurinë e vahjit e cila u shfaq në jetën, moralin, besnikërinë, emanetin e tij, mrekullitë të cilat ia mundësoi Allahu, periudhat e thirrjes në të cilat kaloi duke iu përgjigjur urdhrit të Zotit të tij duke përfshirë paqen, luftën, mbrojtjen, etj.. Lufta, "xhihadi" si një botëkuptim universal, roli i të cilit sillet përreth orbitës së thirrjes së Allahut xh.sh. e cila nëse rrezikohet apo kërcënohet, duhet t'i dilet në mbrojtje me anën e luftës, duke përfunduar deri te dispozitat dhe parimet e sheriatit me të cilat është porositur ai e të cilat burojnë nga Kurani si mrekulli që lexohet dhe nga hadithet pejgamberike që shpjegojnë dhe sqarojnë shumëçka.

Pra, sa i përket këtyre serive të biografisë së Muhamedit (alejhi selam), puna historike ishte e përqendruar në transmetimin deri te ne, të mbrojtura brenda këtyre rregullave shkencore të cilat e kanë për detyrë saktësimin e transmetimit për nga zinxhiri (isnadi) dhe kontakti i tij, për nga besueshmëria e njerëzve dhe jetëshkrimi i tyre, për nga teksti ose ngjarja, pra në përgjithësi prej gjërave që e rrezikojnë atë.

Për sa i përket procesit të nxjerrjes së rezultateve, dispozitave, parimeve dhe kuptimeve prej këtyre ngjarjeve (pas pranimit të plotë të tyre), kjo është punë tjetër shkencore që nuk ka të bëjë me historinë dhe nuk duhet të përzihet me të në asnjë mënyrë. Ajo është punë e njohur dhe e pavarur shkencore, ngrihet mbi metoda dhe rregulla të tjera, që siç shprehet William James, kanë për detyrë saktësimin e procesit të nxjerrjes së rezultateve dhe parimeve prej këtyre ngjarjeve, brenda një kallëpi shkencor që është garanci për të mbrojtur informacionin nga fuqia e ndikimit të iluzionit dhe epshit të vullnetit psikologjik. William Jemes këtë e quan vullnet i besimit. Disa prej këtyre rregullave janë: analogjia induktive, ligji i përkushtimit si dhe semantika.

Bazuar në këto rregulla, prej ngjarjeve nga biografia e Muhamedit (alejhi selam) janë nxjerrë shumë dispozita. Disa prej tyre kanë të bëjnë me besimin dhe bindjen, ndërsa disa të tjera kanë të bëjnë me legjislacionin dhe moralin.

Është me rëndësi të dimë qysh në fillim se kjo është realizuar ndarazi nga datimi (historia) dhe shënimet e tij, larg nga kuptimi dhe përmbajta e tij, por ishte rezultat i mundit tjetër shkencor që u ngrit mbi bazat e rregullave akademike të cekura më lart.





Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...