Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 1
Sot do të fillojmë me studimin e temës së parë nga këto tema. Para nesh kemi një tezë për të cilin ndoshta të gjithë ju keni dëgjuar, ndoshta edhe dikush prej jush e ka diskutuar, madje ndoshta edhe dikush ka marrë edhe qëndrim për të. Pra, kjo është një fjalë (kategori) e cila thërret në atë se shoqëria apo shteti islam nuk ka jetuar më tepër se tridhjetë vjet në variantin më të gjatë. Domethënë qeveria islame e cila ngrihet në zbatimin e Sheriatit islam, nuk ka pasur sukses dhe nuk ka qëndruar në harmoni me nevojat e shoqërisë njerëzore më tepër se një çerek shekulli, apo diçka të ngjashme.
Kjo tezë është një prej deklaratave që do ta shqyrtojmë sipas kriterit të logjikës, kriterit të shkencës, dhe objektivitetit të lirë.
A është e vërtetë se Shteti islam i cili ngrihet në Sheriatin islam dhe në zbatimin e ligjeve të tij, ka dështuar në vlefshmërinë (juridiksionin) e tij dhe në harmoninë ndërmjet tij dhe nevojave të shoqërisë njerëzore?
Vëllezër e motra të nderuara!
Së pari të pyesim për domethënien e zbatimit të Sheriatit islam nën hijen e Shtetit islam apo shoqërisë islame.
Çfarë kemi për qëllim kur themi se: ky shtet praktikon Sheriatin islam në mënyrë të suksesshme? A kemi këtu për qëllim se njerëzit apo individët ndaj të cilëve zbatohen ligjet e Sheriatit islam nën hijen e këtij shteti, falë Islamit, kanë fituar tiparin e pagabueshmërisë d.t.th. falë zbatimit të ligjit islam ndaj tyre duhet që ata të lartësohen e të lartësohen derisa të lirohen nga pushtimi i ndjenjave dhe gjykimeve njerëzore dhe të bëhen melaqe të pagabueshme? Nuk mendoj se dikush prej jush mund të parafytyrojë se ky është kuptimi i suksesit të Sheriatit islam në zbatimin e tij në ndonjë shoqëri prej shoqërive.
Madje, nëse një gjë e tillë është qëllimi i kërkuar, atëherë unë jam i bindur se shoqëria islame nuk ka imponuar veten asnjëherë dhe se pushteti islam nuk ka qenë i përshtatshëm madje edhe në kohën e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, sepse edhe në kohën e Pejgamberit ata nuk ishin dhe nuk u bënë të pagabueshëm. Ata nuk aguan të jenë të lirë nga gjynahet dhe gabimet (të pagabueshëm), por vazhduan të jenë njerëz sikur njerëzit e tjerë edhe pse ata ishin të stolisur me Islam, edhe pse ishin të përkushtuar dhe korrektë ndaj Fesë së Allahut, madje edhe përkundër asaj se ata ishin të nënshtruar shoqërisë islame në Medinën e përndritur - Sheriatit të Allahut.
Ata përsëri mbetën siç thotë Pejgamberi i zgjedhur i Allahut, Muhamedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të gabueshëm dhe më i miri prej gabimtarëve është ai që pendohet. Ka pasur edhe prej atyre që kanë vjedhur, nëse është vërtetuar një gjë e tillë, i është prerë dora, dikush tjetër ka kryer amoralitet dhe i është ekzekutuar dënimi, e tjetri ka pirë verë e edhe këtij i është ekzekutuar dënimi ndërsa, dikush tjetër ka rrëshqitur në gabime të ndryshme. Të gjithë këto gjëra kanë ndodhur nën hijen e shoqërisë së parë islame ku zbatoheshin ligjet islame, domethënë në kohën e të Dërguarit të Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem.
Pra, sikur të ishte qëllimi i zbatimit të Sheriatit islam nën hijen e ndonjë qeverie islame, që njerëzit nën hijen e këtij shteti të shndërrohen në melaqe, atëherë prej tani ta kemi të qartë se kjo shoqëri ende nuk ka ekzistuar dhe asnjëherë nuk do të ekzistojë. Nëse ky është barometri i juridiksionit, atëherë unë sinqerisht ju them se Sheriati islam nuk është i përshtatshëm e i vlefshëm, domethënë t'i shndërrojë njerëzit prej njerëz në melaqe, të lirë nga gjynahet dhe gabimet.
Pra, me siguri se nuk është kjo domethënia (kuptimi) që mund të jetë për qëllim nga kompetenca (përshtatshmëria) e zbatimit të Sheriatit islam në shoqërinë njerëzore.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".


