Banner

Largimi nga shoqëria e keqe 1



Allahu xh.sh. në Kur'anin famëlartë thotë: "Juve u është shpallur në librin (Kur'anin) që, kur të dëgjoni se po mohohet Kur'ani i All-llahut dhe po bëhet tallje me të, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndryshe, ju do të jeni si ata. All-llahu do t'i tubojë tradhtarët dhe jobesimtarët që të gjithë në xhehenem", [En-Nisa:140].

Në këtë ajet kur'anor shihet qartë se muslimani nuk guxon të flasë ose të dëgjojë diçka që është e ndaluar prej bisedave të kota, e pastaj të mos tentojë të largohet vetë nga ajo e keqe, ose ta largojë atë të keqe me dorën e tij.

Po ashtu, në këtë ajet kur'anor, vërehet mirë kërcënimi i Allahut xh.sh. ndaj atyre personave që rrinë së bashku me ata të cilët tallen me dispozitat dhe ligjet e sheriatit islam e nuk largohen nga ai mjedis apo kuvend i tyre, sepse heshtja e tyre nënkupton pajtimin e tyre me ato për të cilat ata flasin dhe bisedojnë. Sa i përket vendimit (hukmit) dhe ligjit fetar se: - A bën të rrihet dhe të qëndrohet në një kuvend apo mexhlis ku të tjerët tallen me Kur'anin famëlartë? - s'do mend se përgjigjja definitive dhe përfundimtare e të gjithë ulemave dhe dijetarëve islamë është se të qëndruarit në atë mjedis është haram dhe i ndaluar rreptësisht. Ndërsa sa i përket urtësisë dhe fshehtësisë se kësaj ndalese, kjo temë do të diskutohet tani dhe ka të bëjë me bazat e edukatës shoqërore.

Ndoshta dikush do të habitet nga kjo ndalesë e rreptë e Kur'anit dhe thotë: çfarë dëmi kam unë nëse e shoh të keqen, por nuk e punoj atë dhe nuk ballafaqohem dot me të? Apo çfarë dëmi ka nëse unë dëgjoj ndonjë bisedë boshe dhe pa peshë të rëndë?

Rreziku i këtij problemi qëndron në faktin se nëse muslimani e shfrenon veten e tij për të parë të keqen dhe për ta dëgjuar atë, atëherë ai gradualisht, në radhë të parë do të ushtrohet për ta parë të keqen, në radhë të dytë do të pajtohet dhe përshtatet me të, e në radhë të tretë ai do ta veprojë atë dhe do të mundohet ta arsyetojë atë.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...