Banner

Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 4



Tani të pyetemi: "Cili ligj ka qenë në fuqi në kohën e hilafetit Osman"? Pa dyshim se ka qenë ligji islam, ku në atë kohë ky ligj është zhvilluar dhe ka pasur lulëzim të hatashëm. Ai që ka lexuar librin e Ali Himetit në: "Autobiografia e Sulltan Mehmet Fatihut" Allahu e mëshiroftë, aty i gjen sqarimet e zgjeruara për ligjet e sheriatit të cilat zbatoheshin në atë kohë.

Tani të parashtrojmë një pyetje tjetër: "Vallë a thua njerëzit kanë qenë të lumtur me zbatimin e sheriatit të Allahut Fuqiplotë, pikërisht me sheriatin islam, apo kanë qenë në vuajtje e fatkeqësi me të"?

Nuk mendoj se ka pasur prej atyre që kanë qenë të pakënaqur nga zbatimi i Sheriatit islam si nga ata të cilët janë të devijuar njashtu edhe nga ata të drejtët, si nga ata që janë larg sheriatit (të lajthitur) njashtu edhe nga ata të sinqertit. Nuk besoj se ne do të mundemi të gjejmë raste të rëndësishme e me vlerë që tregojnë se ka pasur njerëz që janë lodhur, apo të pakënaqur e në ankth nga Sheriati, bie fjala, si në fushën e ekonomisë, transaksioneve financiare, apo sanksioneve dhe të kenë shpresuar që sikur këto të zëvendësoheshin bie fjala me Kodin e Justinianit, apo ndonjë ligj tjetër. Unë assesi nuk kam gjetur diçka të tillë.

Pra, Sheriati islam ka qenë i zbatuar dhe i përshtatshëm për zbatim dhe kështu ky ligj islam vazhdoi të çajë valët e kohërave deri në mesin e hilafetit Osman.

Pas gjithë kësaj a kemi mundësi që të zgjedhim e të mbështesim ndonjë fakt më të fuqishëm se ky për të vërtetuar se Sheriati islam është i përshtatshëm për të punuar me të dhe se njerëzit kanë qenë në harmoni dhe konsekuent me të.

Pra, mu atë, që disa e marrin si argument për të mëtuar se Sheriati islam nuk është i përshtatshëm për zbatim, vetë një gjë e tillë është argument që dëshmon se Sheriati islam është i volitshëm për zbatim edhe atë në bazë të konceptit që unë po ua them d.m.th. të dimë se koncepti i pushtetit të Sheriatit të Allahut në shoqëri, do të thotë që ai të vihet në zbatim në shoqëri, gjegjësisht të zbatohet mes njerëzve në marrëdhëniet e tyre shoqërore dhe ato ekonomike, ku në fakt ky sheriat ka qenë dominues në kohërat e kaluara për të cilat aluduam më sipër.

Mendoj se, shkaku i këtij dyshimi që sillet në mendjet e zotërinjve që mbështesin këtë tezë, pikërisht të cilët pohojnë se Sheriati islam nuk është i përshtatshëm për zbatim përveç se deri kah fundi i kohës së Halifëve, kjo ka të bëjë me fitnen (përçarjen) e cila ngjau pas vrasjes së hazreti Othmanit [4] në betejën e "Xhemelit [5]".



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

[4] - Othman bin Afani vdiq në vitin 656. Halifi i tretë i drejtë i myslimanëve. Një ndër të përgëzuarit me xhen-net. Përgatiti ushtrinë e Usras me vetë financimin e tij. Në kohën e tij kishte çlirime të shumta. I tuboi njerëzit në një Kur'an dhe i shpërndau nëpër qytete të ndryshme. U martua me dy vajzat e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Ofiqi i tij ka qenë Dhinurajn (Person i dy dritave pasiqë ishte i martuar me bijat e Pejgamberit, kuptohet tjetrën e martoi pasi vdiq e para). Ka ndërruar jetë duke lexuar Kur'an. Shih: El-Mu'xhem el-Arabij el-Esasij dhe Vesaja el-Ulema Hafidh Ebi Sulejman Erabeij recensues dhe redaktor Salah Muhamed El-Himij dhe Abdul Kadir el-Arnaut, (Shënim i përkthyesit).
[5] - Beteja e Xhemelit (36 h./656). Kjo betejë u zhvillua ndërmjet Hazreti Ali bin Ebi Talibit dhe ushtrisë së Talhas, Zubejrit dhe hazreti Aishes bijës së hazreti Ebu Bekrit; e cila i inkurajonte ushtarët dhe ishte e hipur në devenë e saj. Lufta përfundoi me ngadhnjimin e Hazreti Aliut radijallahu anhu. Shih: "El-Mu'xhem el-Arabij el-Esasij", (Shënim i përkthyesit).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...