Banner

Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 14



Vëllezër dhe motra çka mund të prisni që të thonë nipat e Niqiforit për Harun Er-Rashidin? A mos presim që të thonë: Allahu e mëshiroftë, apo të thonë: sa njeri i madh që ka qenë, Allahu ia pastë lartësuar shpirtin e tij fisnik?! Nëse ju prisni që një gjë të tillë ta thonë, atëherë më lejoni t'ju them se një gjë e tillë është idiotësi për ata që presin një gjë të tillë prej tyre.

Unë përsëri kthehem dhe po u them se ata janë të arsyetuar kur trillojnë për Harun Er-Rashidin dhe për të ngjashmit me të, sepse kur ata flasin dhe shkruajnë për të nisen nga mllefi i fshehur që e kanë në zemrat e tyre.

Por ç'është puna me këta arabë dhe mysliman të cilët duhet të mburren me këto qëndrime dhe figura?!

Ç'është me këta pse maskojnë fytyrat e tyre dhe largojnë sytë nga historia e tyre arabe e cila është shkruar në gjuhën arabe të qartë e të cilën e kanë shkruar njerëz të historisë së tyre.

Ç'është puna me këta njerëz që pranojnë të ulin kokat e tyre në shenjë nënshtrimi ndaj nipave të Niqiforit dhe pranojnë pasojat e urrejtjes së tyre me plot nënshtrim, përbuzje dhe servilizëm.

Kjo ishte përgjigjja jonë lidhur me dyshimin e dytë dhe kjo vjen në ujdi me fjalën e urtë ku thuhet: "Arsyetimi është më i keq se gabimi".

Kështu them sepse ai që thotë se: Shteti islam nuk është zbatuar më shumë se njëzet e pesë vite dhe si argument për këtë e merr atë që thonë armiqtë e Islamit për Halifët e drejtë, atëherë ky person me këtë qëndrim shton edhe një shpifje tjetër ndaj Islamit, historisë dhe figurave të shquara, krahas shpifjeve të armiqve të Islamit dhe atë në interes të atyre që përgatisin komplote dhe që ushtrojnë dhunë ndaj vet këtyre dhe ndaj ummetit në përgjithësi.

Pra, tani çdonjëri prej nesh le t’i kthehet asaj që shkruajnë shkrimtarët arab pa marrë parasysh cili prej tyre dhe le të studiojë e analizojë historinë e shoqërive arabe pas Halifëve të drejtë, le të analizojë doktrinën që ato shoqëri ndoqën si dhe cilave ligje ato iu nënshtruan. Ai që analizon dhe studion këto që i përmendëm do të del me përfundimin se ato shoqëri kanë qenë të lumtura me Islamin dhe me ligjet e tij dhe se ato shoqëri në asnjë mënyrë nuk kanë menduar për të zëvendësuar këto ligje islame me ndonjë ligj tjetër.

Por, asnjëherë të mos mendosh se kriteri i lumturisë së atyre shoqërive me Islamin dhe ligjin e tij, është pagabueshmëria. Nëse ti këtë e kërkon atëherë dije se nuk ka njeri që mund të jetë i pagabueshëm. Unë jam një prej atyre që krenohem me Sheriatin Islam por përsëri nuk jam i pagabueshëm, mund të gaboj, ndoshta edhe mund të devijoj, apo edhe mund të bie në kthetrën e epsheve me të cilat Allahu Fuqiplotë më sprovon. Por unë, bile edhe në ato momente përsëri e çoj kokën lartë për gjykimin, ligjin e Islamit dhe e pranoj madhështinë dhe urtinë e tij.

Diskutimin e kësaj teze po e përfundoj me këto fjalë: Ta zëmë se Sheriati islam nuk ka qenë në zbatim pas periudhës së Halifëve të drejtë, se halifët realisht kanë qenë siç i përshkruajnë evropianët dhe librat e tyre, apo se ata kanë qenë edhe më të këqij sesa përshkruhen nga evropianët, se njerëzit kanë thyer amanetin pas halifëve të drejtë dhe kanë kërkuar andej e këndej ligje dhe norma të tjera, si thoni a do të ishte ky faji i Islamit apo do të ishte faji i vet atyre njerëzve të cilët Allahu i nderoi me Islamin e ata nuk ishin meriturës të këtij nderi me të cilin Allahu i nderoi dhe ata lajthitën dhe ranë në moçale (baltina) të ndryshme.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...