Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 15
Nëse Allahu më ka nderuar me dinjitetin dhe ligjet e kësaj Feje, më lartësoi me këtë kurorë dhe më bëri të jem i lumtur, i fortë dhe unë pastaj për shkak të dëshirave të mia vetjake e hoqa këtë veshje me të cilën Allahu më lartësoi e më nderoi, atëherë unë duhet ta kem të qartë se problemi nuk qëndron te shkëlqesia dhe te kurora e Islamit, por problemi qëndron tek ajo se unë kam tradhtuar këtë nder, dinjitet dhe këtë kurorë. Pra, vëllezër e motra të dashura a nuk është kjo që tani po e them arsye e shëndoshë?
Ne kemi besuar Allahun, kemi besuar se Sheriati i Allahut i ka zbritur Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, mëshirë për mbarë njerëzimin, ka zbritur për të realizuar interesat tona dhe është zgjidhje për problemet tona. Kështu që nëse shohim që dikush ia kthen shpinën këtij Sheriati dhe nuk është në atë nivel që të nderohet me të dhe ta pranoj atë, atëherë duhet të dimë se ky është problemi i tyre ..., kurse ne do të jemi besnik ndaj këtij Sheriati me të cilin Allahu na ka zbukuruar e të cilin e ka bërë burim të përparimit dhe lumturisë sonë. Asnjëherë nuk do të jemi si ata që kanë degraduar veten e tyre duke ra në fundërrinat e mbeturinave të sistemeve dhe ligjeve të ndryshme.
Siç përmendëm edhe më sipër, se kjo që po ua them është atë që e kërkon logjika e shëndoshë. Nëse ne imitojmë atë që ka thyer amanetin, duke e ditur se zbatimi i amanetit na bën të jemi të lumtur, dhe lakmojmë imitimin e atyre që tradhtuan Sheriatin, duke e ditur se Sheriati realizon interesat tona pasi që ai është nga Allahu ndërsa një veprim i tillë nënkupton anashkalim të tij si dhe bëhemi prej atyre që shtiren se e kanë tradhtuar atë, (atëherë më lejoni t'ju them) se ju shikoni si ai që ka sy të vëngër (që ka sy të shtrembër) ... sytë i drejton kah zullumqari për ta goditur atë, por fatkeqësisht e godet të pafajshmin (të cilit i është bërë padrejtësi).
I tilli e sheh zullumqarin duke ushtruar dhunë dhe duke bërë ngatërresa dhe në vend që t'i bjerë duarve të këtij, i vërsulet dhe e godet të pafajshmin ... Ai që ka sy të vëngër kështu sheh (kështu i duket). Zullumqarin e sheh aty ku gjendet i pafajshmi. Pra, kështu është me ata që thonë se Sheriati i Allahut nuk ka qenë i përshtatshëm për t'u vënë në zbatim, ata fajësojnë Sheriatin e Allahut në kohën kur faji është i vet atyre që ia kanë kthyer shpinën Sheriatit të Allahut.
Nga ana tjetër, si është e mundur që unë të them se Sheriati i Allahut nuk është i përshtatshëm kur unë i besoj Allahut?!
Unë nuk jam duke folur për ateistin. Ateisti është korrekt ndaj ateizmit të vet, kur ai thotë se nuk i nënshtrohem këtij Sheriati. Kjo është kështu sepse kur unë i them atij se ky është Sheriati i Allahut ai ma mbyll gojën duke më thënë se: unë nuk i besoj Allahut. Pra, ai është korrekt ndaj ateizmit të vet, edhe pse ai nuk është korrekt në fjalën e tij kur thotë: nuk ka Zot, gjë që është një temë tjetër diskutimi.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".


