Banner

Evropa prej teknologjisë drejt spiritualizmit - Hyrje 1



Hyrje

E falënderoj Allahun e Madhëruar, me begatinë e të Cilit vazhdojnë të mirat e pakufishme dhe që na udhëzoi në rrugë të drejtë - në të cilën rrugë nuk do të mund të udhëzoheshim po të mos na udhëzonte Ai!

"Evropa prej teknologjisë drejt spiritualizmit, [1] problemi i urës së shkëputur" - është titulli i një simpoziumi i cili u mbajt gjatë muajit qershor të vitit 1999, në Qendrën Shoqërore dhe Kulturore të Mesxhidud-Da've (Xhamisë së Thirrjes Islame) në Paris, si dhe titulli i ligjëratës të cilën e mbajta në sallën Bronaj të Fakultetit të studimeve Lindore dhe Afrikane në Londër, më 24 qershor po të të njëjtit vit.

Mbase është me rëndësi të bëj një krahasim në mes përgjigjes ndaj këtij titulli të cilën e hetova nga ana e francezëve në Paris dhe përgjigjes nga ana e britanikëve në Londër, duke marrë parasysh faktin se titulli i ligjëratës u paralajmërua më herët në Londër, edhe atë në dy gjuhë: në arabisht dhe anglisht, madje edhe vetë ligjërata u përkthye në gjuhën angleze dhe iu shpërnda atyre që ishin të pranishëm gjatë ligjërimit.

Në Paris, në simpozium morën pjesë një numër i madh i mendimtarëve më të njohur francezë, në mes tyre, Jacques Cheminade i cili ishte kundër-kandidat i Jacques Chirac (1932-2019) gjatë zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Bashkëveprimi (interaksioni) me titullin, qe i nxehtë dhe i thellë! U arrit një lloj ujdie (marrëveshje) mbi atë se Evropa e përdor teknologjinë duke qenë në gjumë, duke mos ditur se çfarë bën dhe përse e bën një gjë të tillë ... Po ashtu u arrit një lloj ujdie (marrëveshje) mbi atë se shkalla më e lartë të cilën e ka arritur mjeshtëria perëndimore - është modernizimi i mjeteve luftarake dhe preciziteti i vendosjes së këtyre mjeteve nëpër tregje si dhe tregtimi me to ... Madje, u arrit një lloj ujdie mbi faktin se morali njerëzor nuk do të sundojë në shoqëri, përveçse nëpërmjet forcës së shpirtit, mirëpo, shpirtërorja ka nevojë për kritere dhe rregulla shkencore të cilat do ta mbrojnë atë nga mitet (legjendat) dhe injoranca, andaj, a thua ku gjenden këto kritere?



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Sali SHASIVARI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Evropa prej teknologjisë drejt spiritualizmit".

[1] - Spiritualizëm/-zmi: Rrjedh nga fjala latine, që në përkthim do të thotë "shpirtëror".
Në filozofi: Spiritualizmi është doktrinë idealiste metafizike, sipas së cilës shpirti (esprit) është primar, kurse materia është sekondare dhe si i tillë, shpirti është substancë e çdo realiteti. Spiritualizmi i kundërvihet materializmit.
Shih: Mikel Ndreca, Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, f. 653, Rilindja, Prishtinë 1986, dhe Didie Zhylia, Fjalor i Filozofisë, f. 402, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1994. Mirëpo, autori këtu ka për qëllim spiritualizmin në kuptimin islam, ku parashihet baraspesha dhe ekuilibri në mes shpirtit dhe materies, si dy komponentë të qenies njerëzore, me ç'rast, as shpirti nuk e mohon materien - e as materia shpirtin - por të dy komponentët janë në harmoni dhe se njeriu shihet si qenie dualiste. (Shënim i përkthyesit).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...