Çdo femër që beson në Allahun 1
Me fjalët "femra e cila beson Allahun", kemi për qëllim femrën që ka bindje të plotë se ekziston një Zot i pashoq, në qenien si dhe në cilësitë e Tij, si dhe atë femër e cila është e bindur se vetëm Ai është ndihmës absolut dhe që sjell dëm nëse do, e përveç Tij askush nuk mund të ndihmojë e as të dëmtojë. Ai është i vetmi tek i cili do të kthehen të gjithë njerëzit në një ditë të tmerrshme, ditë për të cilën nuk ka dyshim. Në atë ditë do të ngrihet mbulesa prej çdo fshehtësie dhe të vërtete të mbuluar, ajo është dita e mjerimit, pendimit për atë që është mashtruar me këtë botë dhe për atë që i ka kaluar kufijtë e dhënë nga Allahu xhel-le shanuhu, kurse ditë gëzimi, ditë hareje do të jetë për atë që e ka kuptuar realitetin e kësaj bote, dhe e ka shfrytëzuar atë si rrugë të vetme për ta arritur kënaqësinë e Allahut xhel-le shanuhu.
Ne këtu nuk do të bëjmë fjalë për femrën e cila vetëm ka dëgjuar për Allahun xhel-le shanuhu dhe nuk ka kuptuar asgjë për Të, si dhe për atë që fjalën e besimit ka trashëguar dhe e mban si shprehje gojore, e nuk është munduar që përmbajtja e kësaj fjale të zë vend në zemrën e saj. Mund të ngjajë, që goja e saj të përsëritë emrin e Allahut xhel-le shanuhu edhe njëzetë herë në ditë, por përsëritja e këtyre fjalëve nuk ngjall tek ajo ndjenjë që të kuptojë për fuqinë e Allahut asnjëherë në muaj apo gjatë vitit. Nëse dikush ia përkujton asaj Allahun ose ajo vetë zë të mendojë, sheh se nuk di asgjë tjetër për të, veç asaj (siç thonë) se Ai është një e vërtetë e fshehtë, absolute, siç e kanë emërtuar të vjetrit etërit), të cilët nuk dinin për Të asgjë tjetër veç asaj se Ai është një sekret prej sekreteve të kësaj bote.
Sikur besimi i tillë (besimi në eterin) të mund të ndikojë në sjelljen dhe mënyrën e jetesës së saj do të kishte ndikim të njëjtë edhe besimi i verbër. Por ky lloj besimi nuk është besim por në kuptimin e tij figurativ dhe metafizik. Ky besim nuk lë në zemrën e saj asnjë pikë droje dhe nuk e orienton atë në asnjë drejtim të qëlluar, as që luan ndonjë rol në përmirësimin e jetës dhe sjelljes së saj.
Një besim i tillë është mjaft i përhapur në shumë vende të Evropës si dhe në mbarë Amerikën dhe pandërprerë ky besim marshon me gjithë anomalitë që paraqiten në këto shoqëri, si amoraliteti, çrregullimi shpirtëror dhe fundosja në pavetëdijen e jetës materiale!
Pra, unë me këto fjalë i drejtohem çdo femre që vullnetarisht ka besuar në Allahun xhel-le shanuhu, me dëshirë të lirë që buron nga thellësia e zemrës së saj, nga ndjenjat e thella shpirtërore të saj. Njëkohësisht jam i bindur se në shoqërinë tonë ka shumë femra që kanë një besim të tillë.
Çdo femër, e cila në thellësinë e zemrës ka këtë besim, i drejtohem me këto fjalë: Padyshim çështja e ekzistencës tonë në këtë botë është serioze bile mund të themi se është edhe më shumë se serioze! Prandaj asnjë mashtrim i kësaj bote nuk duhet të të largojë nga të menduarit mbi fundin e saj dhe të na shtyjë në harresë pavlerësinë e kësaj bote, edhe pse shumica janë të dhënë pas saj.
Njëkohësisht mos harro se njerëzit në këtë botë përjetojnë një kohë të caktuar të provimit, pa marrë parasysh a e di apo jo, ndodh që provimi të jetë i gjatë ose i shkurtër, por sidoqoftë ajo kohë nuk zgjat më tepër se koha e një provimi.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Femrës që beson Allahun Fuqiplotë".


