Biografia pejgamberike dhe historia
S'ka dyshim se biografia e Muhamedit (alejhi selam) përbën shtyllën bazë të lëvizjes së historisë madhështore me të cilën mburren muslimanët e gjuhëve dhe vendeve të ndryshme.
Duke u nisur nga kjo biografi, muslimanët e shënuan historinë, për shkak se gjërat e para që i regjistruan shkrimtarët muslimanë nga historia dhe ndodhitë në të, janë ngjarjet e biografisë së Muhamedit (alejhi selam), më pastaj duke vijuar me shënimin e ngjarjeve deri në ditët e sotme. Madje, edhe historia xhahilite (para islame) e cila është e shpërndarë pas murit islam në Gadishullin Arabik, është shënuar nga ana e muslimanëve arabë dhe të tjerëve bazuar në udhëzimin islam. Kjo e definon kuptimin e shprehjes "xhahilije", nën dritën e shenjave të mëdha historike të cilat u mblodhën në lindjen e më të mirit nga krijesat, pejgamberit tonë, Muhamedit (alejhi selam) dhe biografisë së tij.
Pra, biografia pejgamberike përbën epiqendrën rreth së cilës sillet lëvizja e shënimit të historisë islame në Gadishullin Arabik, madje ajo është faktor i cili së pari ka ndikuar në ngjarjet e Gadishullit Arabik dhe së dyti ka ndikuar në gjithë ngjarjet e botës islame.
Arti i transmetimit të ngjarjeve historike tek arabët dhe muslimanët ka pasur një metodë shkencore precize për vrojtimin e ngjarjeve dhe për dallimin e të vërtetës nga jo e vërteta, metodë të cilën nuk e posedonin të tjerët. Mirëpo, muslimanët nuk do ta zbulonin këtë metodë e as nuk do të korrnin sukses që atë ta vinin në jetë, nëse nuk do të ishte biografia pejgamberike, me ç'rast e gjetën veten para një domosdoshmërie fetare për ta shënuar në mënyrë të saktë, me qëllim që e vërteta të mos njolloset nga iluzioni apo të depërtojë në të paqartësia dhe shpifja gjatë shënimeve.
Kështu ka ndodhur, sepse ata e dinin se biografia e Muhamedit (alejhi selam) dhe suneti i tij janë çelësi i parë për të depërtuar në kuptimin e librit të Allahut të Lartmadhëruar si dhe modeli më i përkryer për mënyrën e aplikimit dhe të punuarit me të.
Bindja në pejgamberinë e Muhamedit (alejhi selam), bindja se Kurani është fjala e Allahut të Lartmadhëruar, bindja se ata e bartin përgjegjësinë e punës në bazë të tij dhe bindja se Allahu do t'i llogarisë ata me llogari precize - ishin motivet kryesore që të bëhej çdolloj përpjekjeje për të arritur deri te metoda shkencore me të cilën mbrohen të vërtetat e biografisë dhe të sunetit të pastër pejgamberik.
Me metodën shkencore nënkuptojmë rregullat e "Mustalah el-Hadith" dhe shkencën e "Xherhi vet-Tadil". Dihet se fillimisht kjo shkencë është shfrytëzuar për t'i shërbyer sunetit të pastër, në të cilën biografia e përgjithshme pejgamberike doemos duhet të jetë bazë e saj. Më pas, ajo u bë metodë në përgjithësi në shërbim të historisë dhe peshore për t'i dalluar të vërtetat e saj nga jo të vërtetat.
Nga e gjithë kjo kuptohet qartë se shënimi i biografisë së Muhamedit (alejhi selam), ishte derë e gjerë dhe e rëndësishme nga e cila u futën muslimanët në fushën e studimit të historisë dhe në shënimin e saj në përgjithësi. Po ashtu, rregullat shkencore të cilat i përdorën për thuktësimin e transmetimeve dhe lajmeve, janë po ato rregulla të cilat i kanë shpikur kokat e muslimanëve duke e ndjerë nevojën urgjente për ruajtjen e burimeve më të rëndësishme islame nga ndonjë goditje që mund ta turbullonte pastërtinë e tyre.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Mr. Qazmedin SHAQIRI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fikhu Sire".


