Banner

Metoda e kontrollimit të tezave shkencore 6



2). Në librin Filozofia e mendimit fetar midis Islamit dhe Krishterizmit, të autorëve Levis Gardie dhe Xh. Kanevati, theksohet se Uthman bin Afani gjatë halifatit të tij, e ndau Kur'anin në sure (kaptina) dhe ajete ku suret i radhiti sipas gjatësive, duke filluar nga më e gjata e kështu me radhë deri te më e shkurtra, (Vëll. 1 faqe 42).

Së pari po të ndalosh dhe të mendosh metodën që ata ndjekin për të vërtetuar këtë tezë apo këtë hipotezë, do të konstatosh se metoda mungon që nga themeli. Pra, këta dy autorë paraqesin para nesh një tezë boshe, e zhveshur që ne ta pranojmë symbyllur. Porse këta kanë harruar fjalët e poetit që thotë: Nëse tezat nuk ngrihen në prova atëherë rrjedhimet e tyre s'janë tjetër gjë përveç se pretendime.

Vallë në cilin burim deduktiv e të arsyetimit, është vërtetuar se Othmani është ai që e ndau Kur'anin në sure dhe ajete dhe se e ka radhitur sipas dëshirës së vet, se dëshira e tij ishte që të klasifikohen duke filluar nga më të gjatat, njëkohësisht duke theksuar se ai sqaroi se kjo është e gjatë e tjetra e shkurtër.

Kurse, ne sipas transmetimeve autentike e të vërteta që na transmetojnë nga i Dërguari i All-llahut, bekimet e All-llahut qofshin për të dhe nga vetë Othmani, është se çështja e ajeteve, ndarja dhe radhitja e tyre ka qenë e caktuar nga All-llahu, madje edhe i Dërguari i All-llahut nuk ka patur aty dorë. Argumenti ynë për këtë është ajo që transmeton Buhariu nga Ibni Zubejri që thotë: "I thashë Othmanit ky ajet që është në suren El-Bekare, ajeti 240: "Ata që vdesin nga mesi juaj dhe lënë pas vete gra ..." deri te fjala e All-llahut ku thotë: "... duke mos i nxjerrë prej shtëpisë" këtë e ka shfuqizuar ajeti tjetër. Pra, pse po e shkruan? Othmani tha: "O biri i vëllaut tim unë nuk ndrroj asgjë nga vendi i caktuar".

Gjithashtu mbështetemi në atë që transmeton Kurtubiu dhe të tjerët me sened të vërtetë prej Sulejman bin Bilalit që thotë: Kam dëgjuar se Rabiu është pyetur: Pse sureja El-Bekare dhe Ali Imran janë para kurse para tyre kanë zbritur 80 e sa sure ndërsa këto të dyja kanë zbritur në Medine? Rabiu tha: Ato janë vënë në fillim sepse Kur'ani është shkruar në bazë të Atij që e ka zbritur. [6]



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

[6] - Libri "Felsefetu el-Fikri'd-dinij" përmban shumë kalbësira e mbeturina nga autorë, të cilët janë si rezultat i të gjithë autorëve që më së pari ndjekin metodën e konkludimit dhe së dyti kanë dëshirën e flaktë që të arrijnë një rezultat të caktuar. Ndoshta do të na jepet rasti që të sjellim para jush diçka nga këto kalbësira e mbeturina në mënyrë që të na bëhet e qartë dhe sa më mirë ta kuptojmë "metodikën dhe objektivitetin" e këtyre hulumtuesve.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...