Banner

Metoda e kontrollimit të tezave shkencore 8



Në bazë të kësaj patjetër duhet që edhe bazat e kësaj feje të jenë islame dhe normat e saja të qëndrueshme. Pra, nëse i Dërguari, dërgohet te një popull që ende u ka mbetur nga normat e drejta, atëherë nuk ka asnjë kuptim pse të ndërrohen e as pse të zëvendësohen, madje ato duhet edhe të miratohen sepse një gjë e tillë është më mirë për shpirtin e tyre dhe më e fuqishme në raste të argumentimit kundër tyre. Bijtë e Ismailit e kishin trashëguar rrugën e babait të tyre Ismailit dhe ata vazhduan këtë sheriat deri kur u paraqit Amr bin Luhaj, i cili futi disa gjëra nga mendja e marrë e tij dhe humbi rrugën e u shkatërrua vetë dhe u bë shkaktar që edhe të tjerët të humbasin rrugën.

Kështu filloi adhurimi i idhujve, filloi emërimi për të shenjtë behirën [7] dhe saiben, [8] kështu u prish feja dhe u përzie e vërteta me të pavërtetën dhe mbizotëroi tek ata injoranca, politeizmi dhe mosbesimi. All-llahu atëherë dërgoi zotërinë tonë, Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve-selem, që të drejtojë shtrembërimin e tyre e të përmirësojë e rregullojë devijimin e tyre. I Dërguari i All-llahut shikoi ligjin e tyre, atë që e pa të përputhur me rrugën e Ismailit alejhis-selam ose me dispozitat e All-llahut, urdhëroi të vazhdojnë ndërsa ajo që ishte e falsifikuar, e devijuar ose nga doket e shirkut (politeizmit) apo të kufrit (mosbesimit), i shpalli si të pavlefshme duke theksuar kotësinë e tyre. [9]

S'ka dyshim se Gibi është ndalur dhe e ka parë këtë tekst që vjen pas atyre fjalive që ai solli. Siç jeni duke parë, teksti në vijim nuk është diçka tjetër vetëm se sqarim dhe detajizim i tekstit të sipërm, d.m.th., për të cilin flitet. Këtë e ka të qartë çdo njeri që mendon. Pra, si është e mundur që ai të injorojë dhe ta shpifë këtë, madje ai (Gibi) nuk mjaftohet vetëm me kaq por pretendon se raporti i ideve të tija mbështetet në Dehleviun d.m.th., mbështetet tek ai njeri që kryekëput i hedh poshtë këto fantazma siç e pamë.

Kjo ishte metoda shkencore e ndjekur nga masa dërrmuese e shkencëtarëve të Perëndimit kur ata zhvillojnë ndonjë diskutim shkencor me tjerët, ose kur duan të ngrejnë ndonjë hipotezë, ndonjë të vërtetë ose kur përpiqen të japin përfundime për ndonjë dituri, apo për të konceptuar ndonjë të vërtetë nga ndonjë tekst apo dokument historik. Pra, mënyra e tyre së pari është konkludive, së dyti hulumtimi kryesisht i nënshtrohet vullnetit dhe dëshirës, e së treti synim për të falsifikuar transmetimet dhe tekstet.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam".

[7] - Kafshë, qumështi i së cilës sakrifikohet për idhujt dhe nuk ka të drejtë askush prej njerëzve ta mjelë atë. Vër. e përkth.
[8] - Është ajo kafshë që lëshohej e lirë për zotërat e tyre. Vër. e përkth.
[9] - Shih librin "Huxhettu'll-llah el-Baligah", të autorit Ed-Dehleviut, vëll. 1, f. 97-99.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...