Largimi nga shoqëria e keqe 2
Për ta kuptuar më mirë këtë fenomen, hidhni një vështrim tek ata besimtarë të cilët veprojnë dhe punojnë në mesin e shoqërisë europiane në Perëndim. Ata, në fillim, kur shkojnë në Perëndim ngushtohen shumë dhe u vjen turp për atë se çka po shohin dhe çka po dëgjojnë, e ngrenë zërin e protestës dhe paraqesin shqetësimin e tyre kundër veprave dhe sjelljeve të ndaluara. Pas një kohe të shkurtër, ata qetësohen dhe pajtohen me atë çka po shohin dhe dëgjojnë, e mandej më vonë edhe pajtohen me të, edhe pse e dinë se kjo është haram!
Me kalimin e kohës, edhe ata fillojnë t'i mbrojnë ato ide dhe e shohin këtë si çështje kohore, dhe se nuk bën ndryshe vetëm se kështu, duke u justifikuar dhe argumentuar se ata janë në perëndim, në vend të përparuar ... Dhe kështu, në fund, urrejtja ndaj të keqes shndërrohet në dashuri ndaj saj!!!
E kur muslimani arrin deri në këtë gjendje, pajtohet me të keqen, nuk brengoset fare për të dhe nuk e kundërshton atë, atëherë shpërblimi për të është zjarri i xhehenemit, ku ai do të futet së bashku me kriminelët e tjerë. Për këtë arsye është haram që muslimani të shpërngulet në Perëndim për të jetuar atje, pa ndonjë arsye të madhe, si p.sh. studimi, puna për të siguruar kafshatën e gojës etj.
Ndoshta dikush mendon se nuk ka nevojë për këtë ligj dhe mendon se ky ligj është ngushtim për popullin. Mirëpo nëse jemi të bindur dhe pajtohemi me faktin se njeriu e përfiton moralin e tij nga ambienti ku jeton, e pastaj edhe i përshtatet atij, atëherë mund të konkludojmë se ligji i Allahut xh.sh., që u cek më lart, duhet të praktikohet dhe të merret për bazë edukativo-arsimore. Pikërisht për këtë arsye ligji i Allahut xh.sh. ka qenë i prerë edhe në një vend tjetër në Kur'an ku thuhet: "Engjëjt që ua marrin shpirtin atyre që ishim mizorë dhe zullumqarë ndaj vetes, iu thanë: në çka ishit ju? Ata thanë: ne ishim të paaftë në atë tokë. Engjëjt iu thanë: a nuk ishte e gjerë toka e Allahut xh.sh. e të emigroni në të (e ta praktikoni fenë e Allahut xh.sh.)? Vendi i tyre është xhehenemi, sa vend i keq është ai"?
Nga këta përjashtohen ata të cilët kanë shkuar në Perëndim për studim, të cilin nuk mund ta marrin tjetërkund, ose për të fituar për mirëmbajtjen e familjes, me kusht që të jenë të kujdesshëm dhe të vendosur për ta ruajtur besimin dhe moralin e tyre, në çdo aspekt, nga sulmet e armiqve të brendshëm dhe të jashtëm.
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Nga Arabishtja: Doc. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Fshehtësitë e disa ligjeve kur'anore".


