Banner

Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 12



Unë kam kërkuar dhe hulumtuar që të gjej këtë tekst në ndonjë burim dhe së fundi e gjeta në librin: "Muruxhu Edh-Dheheb" të Mesudiut i cili po ashtu na i përcjellë edhe disa referenca tjera të besueshme ku thuhet:

Në një rast Harun Er-Rashidi kishte vajtur te daja i tij në Rakkah [19] si mysafir. Në një natë u çua për të ngrënë darkën. Kur u ul në tryezë ia tërhoqi vëmendjen një pjatë e vogël ku e pa se ishte përplot me grimca të mishit, andaj iu drejtua dajës duke i thënë: Pse kuzhinieri yt i ka grimcuar kaq shumë copat e mishit? Kuzhinieri ishte aty prezent e dëgjonte bisedën dhe tha: Zotëriu im, këto janë grimca të gjuhës së peshqve e nuk janë copa mishi të grimcuara.

Atëherë Harun Er-Rashidi i shtanguar pyeti: Sa të ka kushtuar kjo pjatë me gjuhët e peshqve? Tha: Dyqind dërhemë, atëherë Harun Er-Rashidi u ndalua nga ngrënia dhe u betua se nuk do ta zgjasë dorën e tij në këtë tryezë përderisa shërbëtori i tij nuk e largon këtë pjatë nga tryeza dhe t'ia japë këtë mish që ta hajë i pari i të varfërve që do ta takojë jashtë në rrugë dhe e porositi shërbëtorin që t'i tregojë të varfrit se kjo pjatë kushton kaq dërhem që të mos e mashtrojë dikush dhe pastaj Harun Er-Rashidi futi dorën në xhepin e vet dhe i dha shërbëtorit një shumë parash që t'ia jep të varfrit dhe tha: Unë kam qenë shkaktarë për këtë luks (harxhim të tepruar).

Vëllezër dhe motra të respektuara a e shihni si është ky rrëfim në librat, në historinë dhe trashëgiminë tonë. Ky tregim sa shumë që mund të ngrejë vlerën e Harun Er-Rashidit në mendjen e çdo njeriut të mençur. Çdo njeri që ka shije të shëndoshë i do qëndrimet, veprat humane dhe e ul kokën para Islamit i cili edukoi e formoi kësi lloj njerëzish dhe kësi lloj shembujsh të shkëlqyeshëm. Pra, vëllezër dhe motra të respektuara, e patë se si është ndryshuar dhe është deformim kaq shumë ky rrëfim i shkëlqyer dhe si është paraqitur në referencat e ndryshme perëndimore pikërisht e kundërta e asaj që dëshmohet në burimet e sakta!

A nuk është për t'u mahnitur që të ketë prej shkrimtarëve arabë të cilët e marrin këtë rrëfim të trilluar e të degjeneruar nga librat e huaja dhe me sy mbyllur e vendosin në librat mësimore arabe për t'ua ofruar nxënësve tanë dhe atë duke mos pasur nga ne që dikush të ngritë zërin për të rikthyer krenarinë e humbur dhe të analizojë për të gjetur burimin e saktë të këtij rrëfimi në mënyrë që të shqyrtojë saktësinë e tij e sidomos kur kjo merret nga armiqtë e fesë dhe historisë sonë?!

Le t'i kthehet çdonjëri prej jush librit tim: "Difaë an el-lslam vet-Tarih - Në mbrojtje të Islamit dhe historisë" për të parë edhe shumë shembuj të tjerë të trillimeve dhe të gënjeshtrave të armiqve tanë lidhur me Islamin dhe historinë tonë.

Pra, gjithë atë që qëndis mendimi i perëndimorëve për historinë tonë, ajo së pari trillohet pastaj qëndiset nga njerëz që emocionet e tyre janë të mbushur me mllef ndaj historisë sonë të famshme islame dhe arabe.

S'ka dyshim se këtë që e bëjnë këta të huaj është tradhti dhe krim por gënjeshtra ndaj historisë e cila është gjuha e kohës është ndër tradhtitë dhe krimet më të shëmtuara, gjegjësisht ai që shkruan historinë të thotë për historinë atë që ajo nuk e thotë, është pafytyrësi e paturpësi e pa përshkruar. Por, me gjithë këtë ndoshta ky shkrimtar ka arsye pasi ai është armik i historisë për të cilën flet dhe shkruan dhe ndoshta arsyeja i pranohet.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

[19] - Qytet në Siri, (Shënim i përkthyesit).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...