Banner

Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 11



Pse të jetë ky nxënës i shkollës së mesme më krenarë me identitetin dhe historinë e vet sesa ne arabët dhe myslimanët me Islamin tonë?! Pse i mbyllim sytë para referencave tona të cilat i kemi para duarve tona dhe shkojmë e bazohemi e mbështetemi në referencat e tyre?! Kjo ndodh me ne kështu ngase ne jemi të sëmurë kurse ata janë të shëndoshë.

Ne duhet që të analizojmë dhe të shqyrtojmë veprimet e tyre kështu që nëse konstatojmë se këta njerëz dhe shkrimet e tyre janë të drejta dhe të sakta, atëherë nuk ka ndonjë problem që ne të mbyllim sytë tonë dhe të marrim nga ata. Por, nëse pas analizës dhe shqyrtimit konstatojmë se ata gënjejnë dhe trillojnë, atëherë çfarë mund të jetë shtytje për ne, që t'i besojmë gënjeshtarit dhe të ndiqet trilluesi e të shkohet pas atij që merret me trillime e falsifikime?

S'do mend se shtytja tek këta njerëz për një veprim të tillë është sëmundja për të cilën biseduam më sipër pikërisht: "lakmia ndaj okupatorit".

Ndoshta dikush prej jush mund të thotë: Po a ka dikush prej nesh që i ka shqyrtuar dhe analizuar punimet e tyre dhe ka konstatuar se ata gënjejnë dhe trillojnë?

Unë them se çdonjëri që merr përsipër të bëj një krahasim të asaj që është shkruar nga ana e armiqve tanë, për historinë dhe figurat tona dhe asaj që është e shënuar në referencat tona arabo-islame të besueshme, do të konstatojë atë që e thamë si dhe shembujt për këtë janë të shumtë dhe të panumërt.

Para disa viteve kam lexuar në një libër mësimorë që është përgatitur për shkollën fillore në vendet tona arabo-islame, dhe kam hasur një tekst për Harun Er-Rashidin [17] ku thuhej:

"Aq shumë që kishte arritur luksi dhe shpenzimi i tepruar tek Harun E-Rashidi, saqë për një pjatë anësore në tryezën e tij shpenzonte një shumë prej 200 dërhemëve" . Normal se dyqind dërhem kanë qenë një shumë e madhe, që sot kanë kundërvlerën e 2000 lirave (siriane). [18] S'ka dyshim se çdo nxënës që e lexon këtë tekst i ngjall neveri ndaj Harun e-Rashidit dhe periudhës së tij e ndoshta edhe për krejt historinë e tij. S'do mend se ai nxënës do të pyetet se prej nga i mori këto para që ai të ketë të drejtë t’i përdorë për dëfrimin dhe shthurjen e tij. Por, ejani të hulumtojmë burimin e këtij teksti para se të na kap krupa ndaj historisë dhe figurave tona.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

[17] - Harun er-Rashid (764-809). Halifi i Pestë Abasid i Bagdadit. Kulmi i zhvillimit të dinastisë Abasite arriti në kohën e tij, si në zgjerim të territoreve, ashtu edhe në mirëqenie, shkencë, art, etj.. U lind në Rej-lran. U angazhua së tepërmi me bizantinët për t'i bindur e detyruar të paguajnë detyrimet materiale ndaj shtetit Islam. Haruni mbante raporte me Karlin e Madh, të cilit në v. 807 i dhuroi një orë uji, që ishte gjë e paparë nga francezët, pastaj mbante lidhje me perandorin kinez, etj.. Ai stimulonte shkencëtarët në librat apo zbulimet e tyre në shkencë, art dhe letërsi. Ngriti një bujtinë për pelegrinët e krishterë në Kudus. Hapi spitalin dhe observatorin e parë në Bagdad, që shërbyen si modele për sundimtarët e mëvonshëm. Vdiq në Tus, Horasan. Shih: Nexhat Ibrahimi Fjalor enciklopedik Islam, Logos A 2017 Shkup fq. 313. Fjalor I Oksfordit për Islamin, fq. 128, (Shënim i përkthyesit).
[18] - Në kohën kur autori (rahmetullahi alejh) e shkroi këtë libër, 2000 lirat siriane kishin vlerën afër 100 euro, (Shënim i përkthyesit).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...