Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 6
Por, ai që e studion dhe analizon historinë me përpikshmëri mëson se si kjo katranosje depërtoi ndërmjet të dashurve dhe të bashkuarve dhe prishi lidhjet e tyre të forta që kishin ndërmjet tyre, por (falë Allahut) së shpejti kjo dashuri u kthye tek ata edhe atë në një shkallë të lartë të harmonisë dhe të rregullsisë. [7]
Pra, çfarë lidhje mund të ketë një re e zezë e një fitneje të cilën e përgatiti dhe e futi ndërmjet njerëzve Ibnu Es-Seudai, e cila gjë ka ndodhur dhe ka kaluar, me kompetencën (juridiksionin) apo me jo kompetencën e Sheriatit islam?
Tani ejani që së bashku të kërkojmë ndonjë argument tjetër të cilin e marrin si pretekst dalzotësit e kësaj teze.
Kam lexuar një artikull të disa apologjetëve të kësaj teze që shkurtimisht thotë: Halifët që erdhën pas periudhës së hilafetit të drejtë janë zhytur në luks dhe ligësira (gjëra të shëmtuara) dhe se jeta e tyre ishte përplot lajthitje, gjë e cila bie në kundërshtim me atë se ata duhet të jenë shembull i të tjerëve ngase ata janë drejtues të dispozitave islame.
Këta njerëz mbështesin mendimin se periudha e Hilafetit Abasid ka qenë vatër e luksit, harxhimeve të tepruara dhe mendjemadhësisë dhe si prijës të këtij devijimi e marrin Harun Er-Rashidin gjoja se jeta e tij ka qenë përplot lajthitje, kryelartësi dhe shpenzime të kota për të përmbushur dëshirat epshore dhe egoiste.
Njëkohësisht kam lexuar edhe një artikull tjetër të po këtyre apologjetëve lidhur me jetëshkrimin e halifëve që kanë jetuar në periudhën e Emevitëve apo Abasitëve ku realisht e gjeta veten para një përshkrimi të një lajthitjeje shumë të neveritshme dhe harxhimeve të kota të pa përshkruara. Kështu që duke lexuar këtë jetëshkrim të Harun Er-Rashidit, kuptohet sipas versionit të këtyre apologjetëve, gjeta veten para një njeriu që gjuhej dhe endej ndërmjet verës dhe prehërave të këngëtareve, i cili fronin e tij e kishte marrë si mjet për të realizuar kënaqësitë dhe dëshirat e tij egoiste.
Them: Ndoshta arsyeja e këtyre që thonë se Sheriati islam nuk është zbatuar apo nuk ishte i përshtatshëm për zbatim pas periudhës së Halifëve të drejtë, është ky përshkrim të cilin ua servojnë njerëzve. Mirëpo, si është përgjigjja ndaj kësaj?
Përgjigjja qëndron në pyetjen se kush i thuri këto jetëshkrime për këta halif?
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI
_________________________
- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".
[7] - Shih rrëfimin të cilin e thuri Ibn Sebei në librin: El-Bidajetu ve e-Nnihajeh, të ibni Kethirit, fq. 234. Njëkohësisht të njëjtën ngjarje shihe në librin tim: Fik'hu e-Sirah mea muxhez litarih el-Hilafe er-Rashideh, fq. 542 e më pas, (Ky libër gjendet edhe në gjuhën shqipe me emrin Fikhu Sire - shënim i përkthyesit).


