Banner

Shteti islam nuk ka jetuar më shumë se tridhjetë vjet 9



Vëllezër dhe motra të respektuara!

Mos mendoni se unë mëtoj të them se Halifët e këtij Ummeti kanë qenë melaqe të zbritura nga qielli. Unë e di se ata kanë qenë nga njerëzit dhe janë ballafaquar me shumë gabime dhe se shumica e tyre ndoshta kur janë hidhëruar kanë bërë padrejtësi, kur kanë bërë ixhtihad [15] kanë gabuar, por unë jam i bindur se përshkrimin të cilin e kanë thurur lapsat e orientalistëve dhe të huajt të cilët janë zemërligë ndaj historisë suaj islame është një përshkrim i rrejshëm.

Kjo që po e them, shihet qartë kur bëjmë një krahasim ndërmjet asaj që shkroi Tabariu, Ibni Kethiri, fjala, bie për jetëshkrimin e Harun Er-Rashidit dhe asaj që shkruan: Kromeri, Fan Floteni, Gustav Le Boni, [16] etj..

Në referencat e para Harun Er-Rashidi përshkruhet ashtu sikur je duke qëndruar para një personi që një vit lufton (bën xhihad) dhe vitin tjetër shkon në Haxh-xh dhe brenda ditës falë njëqind rekate namaz, kuptohet nëse nuk ka qenë i angazhuar me luftë ose nëse nuk ka pasur ndonjë pengesë tjetër, si dhe asnjëherë nuk ka gjykuar pa mos i konsultuar dijetarët e Sheriatit Islam.

Megjithatë, ai ndonjëherë kur ka bërë orvatje për diçka, ka ekzistuar mundësia që të ketë gabuar. Siç thash edhe më herët, kur është hidhëruar ndoshta ka anuar kah padrejtësia. Por sa do që të hulumtosh dhe të kërkosh, nuk do të mund të gjesh se ai ka qenë alkoolist dhe të ishte gjuajtur ndërmjet qypave të verës dhe prehrave të këngëtareve.

Ndërkaq kur kalojmë për të lexuar atë që kanë shkruar armiqtë, e sheh veten sikur je para një përshkrimi krejtësisht tjetër të neveritshëm. Pra, cilin përshkrim duhet ta mbështesim dhe cilën referencë duhet ta marrim?!

Vallë a të mbështesim versionin e nikoqirit apo pretendimin e hajnave të cilët fshehurazi kanë depërtuar në shtëpitë tona!

Lidhur me këtë problematikë tani jemi edhe para një problematike tjetër; para një sëmundje që disa sociologë në kohën tonë bashkëkohore e quajnë: "lakmia ndaj okupatorit". Okupimi në vete nuk është aq problem ngase nëse ka ndodhur doemos do të largohet, përderisa zemrat janë të pastërta dhe përderisa lakmia ndaj tij nuk është prezent tek njerëzit.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "Të gënjejnë kur të thonë se ...".

[16] - Gustav Le Bon (1841 - 1931) ishte mjek dhe historian francez. Punoi në Evropë, Azi dhe Afrikën e Veriut. Shkroi në fushën e arkeologjisë, antropologjisë dhe për qytetërimet lindore. Ndër librat më të dalluara janë: Civilizimi Arab, Qytetërimet e Indisë, Civilizimi egjiptas, Qytetërimi arab në Andaluzi, Misteri i përparimit të kombeve etj. Ishte një nga filozofët më të famshëm të Perëndimit që vlerësuan kombin arab dhe qytetërimin islam. Gustave Le Boni nuk e pëlqeu qasjen e shumicës së historianëve të Evropës dhe ai besonte se kishte një virtyt të civilizimit islam në botën perëndimore. wikipedia.org, (Shënim i përkthyesit).
[15] - Ixhtihad: përpjekja intelektuale e dijetarit eminent që i plotëson kushtet e caktuara, me qëllim që të arrijë të kuptojë vendimin e Sheriatit për ndonjë çështje. Shih: Mu’xhem Mustalehat Usuli el- Fikh, fq. 235. Daru el-Fikr Damask 2000, (Shënim i përkthyesit).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...